OEK reagon pas vendimit të SHBA-së për pezullimin e Dialogut Strategjik me Kosovën
Dëgjoje me zë...
OEK reagon pas vendimit të SHBA-së për pezullimin e Dialogut Strategjik me Kosovën
Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) shpreh shqetësimin e thellë lidhur me njoftimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pezullimin e Dialogut Strategjik me Kosovën.
Në reagimin e OEK-ut, pezullimi i kësaj nisme, e cila ka rëndësi të veçantë për zhvillimin ekonomik dhe forcimin e pozitës ndërkombëtare të vendit, përbën një hap prapa për aspiratat ekonomike dhe diplomatike të Republikës së Kosovës.
Në komunikatë thuhet se kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, theksoi se përmirësimi i imazhit të Kosovës si destinacion i sigurt dhe i përshtatshëm për investime duhet të jetë prioritet kombëtar.
Ai nënvizoi se mungesa e investimeve të huaja, së bashku me rënien e investimeve nga diaspora, po krijon një situatë tejet sfiduese për ekonominë e vendit, e cila tashmë po përballet me vështirësi të shumta.
Rafuna gjithashtu theksoi se liberalizimi i tregut të energjisë ka sjellë barriera shtesë për bizneset dhe për ekonominë në përgjithësi.
Oda Ekonomike e Kosovës apelon për gjetjen sa më të shpejtë të një rruge për rikthimin e Dialogut Strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe thekson nevojën urgjente për konsolidimin e politikave ekonomike, në mënyrë që të rikthehet besimi i investitorëve të huaj dhe të krijohen kushte të qëndrueshme për zhvillim ekonomik.
Sot, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë pezulluar dialogun strategjik me Kosovën.
Në njoftimin e Ambasadës në Facebook thuhet se kjo për shkak të veprimeve të qeverisë së Kosovës.
“Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar pa afat dialogun strategjik të planifikuar me Kosovën për shkak të shqetësimeve për veprimet e qeverisë në detyrë që kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar produktivisht me Kosovën në prioritetet e përbashkëta”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.
Ambasada tha të premten se SHBA mbetet e përkushtuar në avancimin e interesave të përbashkëta.
https://kosovapress.com/shba-ja-pezullon-dialogun-strategjik-me-kosoven
/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim.
Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.