Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shpreh shqetësimin e saj serioz lidhur me mungesën e vazhdueshme të konsideratës nga ana e Qeverisë në detyrë të Republikës së Kosovës për thirrjet e përsëritura të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të mbështetur përfshirjen e Kosovës në infrastrukturën dhe rrjetin e furnizimit me gaz të lëngshëm natyror (LNG).
Ky reagim vjen pasi zyrtari për çështje ekonomike në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, Micah Savidge, ka thënë në një intervistë për KosovaPress se Kosova rrezikon të humbasë mundësi të rëndësishme investimi, nëse nuk siguron furnizim të qëndrueshëm me energji.
Sipas reagimit të Odës Amerikane, në një kohë kur Kosova vazhdon të mbetet tejmase e varur nga kapacitetet e vjetruara gjeneruese, importet e mëdha të energjisë elektrike dhe një treg rajonal energjetik gjithnjë e më i paqëndrueshëm, qasja në gazin e lëngshëm amerikan përfaqëson jo vetëm një mundësi energjetike, por edhe një zgjedhje strategjike.
“Kosova rrezikon të mbetet jashtë një kornize strategjike rajonale që po përcakton gjithnjë e më shumë të ardhmen e sigurisë energjetike dhe zhvillimit ekonomik në Evropën Juglindore”, thuhet më tej në reagim.
Oda Amerikane vlerëson se partneriteti strategjik i Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbetet një nga asetet më të rëndësishme kombëtare të vendit. Shpërfillja e vazhdueshme e qëndrimeve dhe prioriteteve strategjike të aleatit më të afërt të Kosovës bart rrezikun e ndikimit në cilësinë dhe thellësinë e këtij partneriteti me kalimin e kohës.