Në kuadër të aktiviteteve për Ditën e Tokës, nxënësit e shkollës fillore “Pavarësia” në Prishtinë zhvilluan një aksion për pastrimin e hapësirave të objektit shkollor.
Dhjetëra nxënës të kësaj shkolle morën pjesë në këtë aksion. Disa prej tyre treguan mesazhin që donin të përçonin.
“Kemi vendosur ta mbajmë më shumë pastërtinë dhe t’i mësojmë të vegjlit se si ta mbajmë ambientin”, tha Maqestena.
I pranishëm në aktivitet ishte dhe drejtori i Arsimit në Prishtinë, Samir Shahini, i cili tha se janë mobilizuar të pastrojnë edhe përtej shkollës.
“Kjo është iniciativë e Këshillit Drejtues, Këshillit të Prindërve dhe vetë shkollës “Pavarësia’. Një ditë para Ditës së Tokës kemi filluar t’u paraprijmë aktiviteteve për pastrimin e planetit me kapacitetet që ne kemi, ta mirëmbajmë dhe të kujdesemi për të. Në kuadër të pastrimit jemi mobilizuar me nxënës dhe staf të shkollave të pastrojmë përtej shkollës. I kemi dy rrugë në afërsi të shkollës, ku kemi qarkullim më shumë të nxënësve. Po ashtu t’i mbjellim edhe dy drunj dekorativë sa për ta shënuar edhe në formë simbolike”, tha Shahini.
Komuna e Prishtinës do të zhvillojë edhe aktivitete të tjera për shënimin e Ditës së Tokës.