Nxënësit e shkollave të Mitrovicës dhe Klinës nderojnë Epopenë e UÇK-së në Prekaz
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Nxënësit e shkollave të Mitrovicës dhe Klinës nderojnë Epopenë e UÇK-së në Prekaz
Në kuadër të shënimit të 28-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nxënës të shkollave të ndryshme të Kosovës zhvilluan aktivitete përkujtimore dhe vizita në Kompleksin Memorial në Prekaz për të nderuar sakrificën e familjes Jashari dhe të rënëve për lirinë e vendit.
Mësuesja e shkollës “Sulejman Vokshi” në Komunën e Mitrovicës, Fjolla Habibaj-Duraku, tha se në këtë përvjetor kanë ardhur së bashku me nxënësit edhe me një program kushtuar Epopesë së UÇK-së.
“Ne jemi nga shkolla “Sulejman Vokshi” nga Komuna e Mitrovicës. Kemi ardhur për nder të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në 28-vjetorin e saj. Ne jemi bashkë me nxënësit e klasave parafillore deri tek klasat e pesta, ku kemi përgatitur një program kushtuar Epopesë së UÇK-së me këngën ‘Garda e Kosovës”, tha Duraku
Ajo njoftoi se aktivitete të tilla organizohen çdo vit nga shkolla , sikurse që organizojnë aktivitete edhe për nder të Pavarësisë së Kosovës dhe Shqipërisë.
Edhe drejtori i shkollës “Motrat Qiriazi” në Klinë, Gani Ahmetxhekaj, tha se vizita në Prekaz ka për qëllim nderimin e sakrificës së familjes Jashari dhe të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës.
“Sot kemi ardhur me nxënësit e shkollës ‘Motrat Qiriazi’për të bërë nderimin në shenjë të sakrificës së Epopesë Çlirimtare të Kosovës. Kemi ardhur të nderojmë komandantin legjendar Adem Jashari, familjen e tij dhe të gjithë të rënët për lirinë e Kosovës”, u shpreh Ahmetxhekaj.
Ai shtoi se vizita në Prekaz realizohet çdo vit në kuadër të edukimit atdhetar të nxënësve, duke vënë në dukje se figura e komandantit legjendar Adem Jashari ka një vend të veçantë në historinë e Kosovës.
“ Është e pashpjegueshme, prandaj përpiqemi që edhe këtë mesazh t’ua përcjellim edhe gjeneratave të reja, duke filluar prej parafillorëve deri në klasat e pesta që sot i kemi marrë me vete. Nesër do të vijmë me ciklin e lartë”, tha Ahmetxhekaj.
Ai tha se vizita në Prekaz zgjon emocione të forta dhe të përziera dhimbje dhe krenari njëkohësisht.
I pyetur edhe për propozimin që Murat Jashari të kandidohej për president, Ahmetxhekaj u shpreh se është krenari për Kosovën me qenë dikush i familjes Jashari president.
/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim.
Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.