Nxënës nga tri komuna marrin trajnim për reagim në emergjenca
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Nxënës nga tri komuna marrin trajnim për reagim në emergjenca
Nxenesiit
01/06/2026 - 10:46
Linku u kopjua

Rreth 100 nxënës të klasave të VIII-ta dhe IX-ta nga shkollat fillore të komunave të Fushë Kosovës, Mitrovicës dhe Shtimes po marrin pjesë në një trajnim dyditor për kërkim-shpëtim dhe mbijetesë, i cili po mbahet në Qendrën e Kërkim-Shpëtimit në Berim (Qeqevë), në komunën e Zubin Potokut, raporton KosovaPress.

Aktiviteti po organizohet nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve. Trajnimi përfshin ligjërata teorike dhe ushtrime praktike për reagim në situata emergjente, kërkim-shpëtim dhe mbijetesë në natyrë.

Në trajnim, së bashku me nxënësit dhe stafin përcjellës, po marrin pjesë rreth 200 persona.

Në organizimin dhe realizimin e aktivitetit janë përfshirë strukturat e sigurisë, stafi i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Veri, përfaqësues të Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, si dhe kryetarët e komunave pjesëmarrëse.

Në këtë ngjarje po merr pjesë edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Mbështetje për realizimin e trajnimit kanë ofruar edhe Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim, grupi i zhytjes “Trepça”, si dhe njësitë profesionale të zjarrfikës dhe shpëtimit nga komunat e Mitrovicës, Vushtrrisë, Prishtinës dhe Prizrenit.

Sipas organizatorëve, qëllimi i aktivitetit është ngritja e vetëdijes dhe aftësive të të rinjve për reagim në raste emergjente, forcimi i kulturës së sigurisë dhe njohja e tyre me procedurat bazë të kërkim-shpëtimit dhe mbijetesës në terren. Aktiviteti po zhvillohet si pjesë e shënimit të Ditës së Fëmijëve, duke u ofruar nxënësve një përvojë edukative dhe praktike në fushën e menaxhimit të emergjencave.

Organizatorët kanë bërë të ditur se ky trajnim do të vazhdojë edhe me nxënës nga komunat e tjera, ndërsa aktivitetet do të zhvillohen në Qendrën e Kërkim-Shpëtimit në Berim, në komunën e Zubin Potokut.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026