Rritja e çmimeve e liberalizimi i vizave për Kosovën pritet të ndikojnë në uljen e numrit të turistëve në Shqipëri. Kështu vlerëson ekspertja e ekonomisë nga Shqipëria, Romina Radonshiqi, e cila thotë se duhet punuar më tepër të dy vendet për politika më stimuluese në aspektin e tregtisë dhe turizmit.
Radonshiqi në një intervistë për KosovaPress, thekson se ekonomia në Shqipëri sikurse Kosova po përballet me sfida tjera për shkak të migrimit. Pagat më joshëse dhe kushtet më të mira të punës po i bëjnë edhe të rinjtë nga Shqipëria të migrojnë, faktor ky që më pas paraqet problem në fuqinë punëtore.
Megjithëse, thotë se këtë vit presin më pak turistë nga Kosova, ajo shton se të njëjtit do të vizitojnë Shqiperinë pas muajit gusht.
Problematikë tjetër për këtë shtet mbetet burokracia. Sipas Radonshiqit, shpesh herë burokracia kthehet në korrupsion.
Ndërkaq, duke folur për sfidat, ajo thotë se janë të mëdha, e megjithatë në aspektin e ekonomik, Shqipëria ka shënuar përmirësime. Sipas Radonshiqit, ky shtet ka arritur ta menaxhojë pandeminë dhe krizat tjera me çmime që erdhën si shkak i saj.
Në fund, Radonshiqi thotë se Kosova dhe Shqipëria duhet të punojnë më shumë, sidomos në politikat stimuluese për zhvillimin e tregtisë.