Zjarret në Hawai kanë marrë jetën e 53 personave deri më tani, ndërsa përpjekjet e ekipeve të kërkim-shpëtimit vazhdojnë për të pagjeturit.
Gjithsej janë gjashtë zjarre në Big Island dhe Maui, ku ka ndodhur pjesa më e madhe e shkatërrimit që nga shpërthimi i zjarreve të martën.
"Jill dhe unë shprehim ngushëllimet tona më të thella për familjet e atyre që humbën më të dashurit në zjarret në Maui dhe lutjet tona janë me ata që kanë parë shtëpitë, bizneset dhe komunitetet e tyre të shkatërruara," tha Presidenti Joe Biden në një deklaratë të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë.
Biden ka miratuar një deklaratë fatkeqësie për të ndihmuar në përgjigjen emergjente dhe përpjekjet për rimëkëmbje.
“Ne u jemi mirënjohës zjarrfikësve të guximshëm dhe reaguesve të parë që vazhdojnë të vrapojnë drejt rrezikut, duke e vënë veten në rrezik për të shpëtuar jetë”, tha Biden. "Kam urdhëruar të gjitha asetet federale të jenë në dispozicion në ishuj për të ndihmuar gjatë reagimit".
Erërat e fuqishme 60 milje në orë (96 kilometra në orë) nga Uragani Dora në Oqeanin Paqësor kanë ndezur flakët e zjarreve shkatërruese.
"Ne nuk kemi pasur një rast të humbjes së jetëve si kjo për shumë vite," tha Green në një intervistë për CNN.
"Ndërsa hyjmë në qindra shtëpi që u pushtuan nga zjarri...ne kemi shqetësim të madh se do të gjejmë mbetjet e njerëzve që nuk mundën të shpëtonin".
"Ne u bëjmë thirrje banorëve që të marrin parasysh paralajmërimet e sigurisë nga zyrtarët dhe t'u përmbahen urdhrave të evakuimit dhe udhëzimeve të sigurisë të lëshuara nga autoritetet lokale," tha Roja Bregdetare në një deklaratë.