Nottingham ashpërson luftën për titull në Premier Ligë pas fitores numër 11
Sport
Lexohet për: 2 min.
Futbollistët e Nottingham Forest janë kandidatë seriozë për titullin e Premier Ligës pas fitores në udhëtim sot ndaj Everton me rezultat 2:0, duke kaluar në renditjen tabelare dy skuadrat tjera pretenduese Arsenal dhe Chelsea.
Chris Wood në minutën e 15-të solli Nottingham në epërsi, ndërsa Morgan Gibs-White në minutën e 61-të vulosi fitoren e 11-të të skuadrës së tij në këtë edicion të garave. Everton ndërkaq regjistroi humbjen e shtatë dhe mbetet pranë zonës së rrezikshme me 17 pikë nga 18 ndeshje.
Nottingham Forest renditet i dyti me 37 pikë nga 19 ndeshje, Liverpool prin me 42 pikë dhe nëse sonte në udhëtim Mohamed Salah me bashkëlojtarë mposht West Ham United do të thellojë diferencën e pikëve në krye të tabelës.
Arsenal dhe Chelsea renditen në pozitat tre dhe katër me 36, përkatësisht 35 pikë, por me nga një ndeshje më pak.
Në ndeshjet e tjera të ditës së sotme Crystal Palace mposhti Southampton 2:1. Fulham humbi fitoren nga duart në minutat e fundit duke luajtur baras si vendës ndaj Bournemouth 2:2. Tottenham Hotspur dhe Wolves ndanë pikët duke luajtur baras 2:2. Manchester City fitoi si mysafir ndaj Leicester City 2:0.
Aston Villa-Brighton, Ipswich Town-Chelsea, Manchester United-Newcastle United janë tri ndeshjet e fundit përmbyllëse të xhiros së 19-të të Premier Ligës ditën e hënë.