Njerëzit e pamartuar rrezikohen më shumë nga depresioni, sipas studimit
Shëndetësi
Lexohet për: 3 min.
Njerëzit e pamartuar rrezikohen më shumë nga depresioni, sipas studimit
Foto Ilustruese
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Njerëzit e pamartuar mund të kenë rreth 80 për qind më shumë gjasa të përjetojnë depresion sesa ata që janë të martuar, sugjeron një studim i ri.

Studimi zbuloi se rreziku i depresionit për njerëzit e pamartuar mund të jetë më i lartë te burrat dhe ata që kishin më shumë arsim.

Shkencëtarët sugjerojnë se gjetjet mund të ndihmojnë në identifikimin e njerëzve që janë në rrezik më të lartë të sëmundjes.

Autorët sugjerojnë se nivelet më të ulëta të depresionit te të martuarit mund të jenë për shkak se çiftet janë në gjendje të mbështesin shoqërisht njëri-tjetrin, të kenë qasje më të mirë në burimet ekonomike dhe të kenë një ndikim pozitiv në mirëqenien e njëri-tjetrit.

Ata analizuan të dhënat nga më shumë se 100 mijë njerëz në shtatë vende, duke përfshirë gati 7 mijë nga Britania e Madhe.

"Analiza jonë ndër-shtetërore sugjeron se individët e pamartuar mund të jenë në rrezik më të madh të depresionit dhe çdo përpjekje për të zbutur këtë rrezik duhet të marrë parasysh rolin e kontekstit kulturor, seksit, arritjeve arsimore dhe përdorimit të substancave," kanë shkruar Kefeng Li nga Universiteti Politeknik i Makaos  dhe kolegët e tij në revistën “Nature Human Behaviour.”

Studimi, i cili shqyrtoi gjithashtu njerëzit në SHBA, Meksikë, Irlandë, Korenë Jugore, Kinë dhe Indonezi gjatë një periudhe prej katër deri në 18 vjet, zbuloi se të qenit i pamartuar lidhej me një rrezik 79% më të lartë të simptomave të depresionit në krahasim për ata që janë të martuar.

Gjithashtu zbuloi se njerëzit e divorcuar kishin një rrezik 99% më të lartë për të shfaqur shenja depresioni. Ndërkohë, ata që ishin të ve, kishin një rrezik 64% më të lartë se ata që ishin të martuar. Sipas studimit, personat e pamartuar në vendet perëndimore kishin një rrezik më të lartë të depresionit se ata në vendet lindore.

Rreth 280 milionë njerëz në mbarë botën kanë depresion ose rreth 5% të popullsisë së rritur botërore, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Autorët vunë në dukje se të dhënat u mblodhën nga pyetësorët e vetë-raportuar dhe jo nga diagnozat klinike të depresionit. Ata gjithashtu thanë se të gjitha çiftet e analizuara ishin heteroseksualë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024