Njerëzimi niset sërish drejt Hënës
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Njerëzimi niset sërish drejt Hënës
597981522_1301533038533862_8650305042713546035_n
02/04/2026 - 11:43
Linku u kopjua

Katër astronautë janë nisur në një fluturim historik rreth Hënës me misionin “Artemis II”, duke shënuar udhëtimin e parë me ekuipazh drejt Hënës pas më shumë se 50 vjetësh dhe hapin më të madh të NASA-s drejt rikthimit të njerëzve në sipërfaqen hënore.

Ekuipazhi, i përbërë nga tre amerikanë dhe një kanadez, u ngrit nga Qendra Hapësinore Kennedy në Florida me raketën 32-katëshe “Space Launch System”, ndërsa mijëra njerëz ndoqën nisjen nga afër. Misioni konsiderohet si fillimi i një epoke të re të eksplorimit hapësinor dhe pjesë kyçe e planeve të NASA-s për një prani të përhershme në Hënë.

Astronautët  përbëjnë ekuipazhin më të larmishëm ndonjëherë për një mision hënor, me gruan e parë, personin e parë me ngjyrë dhe shtetasin e parë jo-amerikan që udhëtojnë në kapsulën e re  “Orion”.  Ata do të qëndrojnë rreth 10 ditë në hapësirë, duke testuar sistemet e kapsulës, përfshirë manovrimin manual dhe funksionimin e pajisjeve jetësore, të cilat po përdoren për herë të parë me ekuipazh. Pas një orbite fillestare rreth Tokës, ata do të nisen drejt Hënës dhe pritet të kalojnë më larg se çdo njeri tjetër në histori, përpara se të kthehen në Tokë dhe të ulen në Oqeanin Paqësor.

Sipas AP, NASA theksoi se misioni është vendimtar për planet afatgjata të programit “Artemis”, i cili synon krijimin e një baze të qëndrueshme në Hënë dhe përgatitjen për misione të ardhshme drejt Marsit. Gjatë misionit, ekuipazhi do të testojë gjithashtu procedura emergjente dhe do të vëzhgojë Hënën nga afër, përfshirë edhe një kalim të mundshëm gjatë një eklipsi diellor, përcjell KosovaPress.

Misioni vjen pas disa vonesave teknike dhe sfidave inxhinierike, përfshirë probleme me sistemet e karburantit dhe sensorët, por NASA konfirmon se nisja është zhvilluar pa rrjedhje të mëdha të hidrogjenit dhe sipas planit.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026