Gjatë javëve të fundit, SHBA-ja dhe kompani amerikane kanë nënshkruar marrëveshje miliardëshe me Shqipërinë, Kroacinë dhe Bosnje e Hercegovinën për të zgjeruar ndikimin energjetik në rajon dhe për të ulur varësinë nga Rusia.
Gjatë javëve të fundit, SHBA-ja dhe kompani amerikane kanë nënshkruar marrëveshje miliardëshe me Shqipërinë, Kroacinë dhe Bosnje e Hercegovinën për të zgjeruar ndikimin energjetik në rajon dhe për të ulur varësinë nga Rusia.
Në pesë vjetët e fundit, qasja e Kosovës ndaj gazit ka qenë më shumë një “tërhiq e mos e këput” sesa një politikë e vendosur. Nga një projekt konkret me mbështetje amerikane, te refuzimi i tij në vitin 2021, e deri te rikthimi i diskutimeve për mundësi të reja këtë vit, vendi është ende pa një drejtim të qartë.
Por, gjatë javëve të fundit, kur SHBA-ja dhe kompani amerikane kanë nënshkruar marrëveshje miliardëshe me disa vende të Ballkanit Perëndimor - për të zgjeruar ndikimin energjetik në rajon - Kosova nuk ka qenë pjesë e kësaj vale investimesh.
Në iniciativa të rëndësishme kanë hyrë: Shqipëria, Kroacia dhe Bosnje e Hercegovina, përfshirë edhe në një projekt të madh për ndërtimin e një tubacioni gazi që synon ta shkëpusë Sarajevën nga furnizimet ruse.
Edhe pse pa një rol të qartë në këto zhvillime, Kosova nuk është jashtë vëmendjes së Shteteve të Bashkuara. I dërguari i posaçëm i Departamentit amerikan të Energjisë, Joshua Volz, thotë për Radion Evropa e Lirë se sistemi energjetik i Kosovës ka nevojë urgjente për modernizim - çfarë krijon mundësi të mëdha për industrinë amerikane që të investojë.
“Duhet të bëhen hapa për t’i nxitur investimet private amerikane dhe financimet ndërkombëtare që të vijnë në Kosovë. Për këtë po punojnë Departamenti i Tregtisë, Departamenti i Thesarit dhe Departamenti i Shtetit i SHBA-së. Nëse dhe kur dinamikat e tregut ndryshojnë dhe mjedisi i biznesit bëhet më tërheqës, Departamenti i Energjisë do të jetë i gatshëm të ndihmojë në ndërmjetësim mes industrisë amerikane dhe partnerëve industrialë në Kosovë”, thotë Volz.
Volz shprehet optimist dhe thekson se lidhja e Kosovës me infrastrukturën rajonale të gazit është tashmë pjesë e diskutimeve që po zhvillohen.
Radio Evropa e Lirë pyeti Ministrinë e Ekonomisë së Kosovës nëse ekziston ndonjë plan apo afat konkret për lidhjen me rrjetin rajonal, për mundësitë e ndërtimit të infrastrukturës së gazit dhe për bisedimet me zyrtarët amerikanë, por nuk mori përgjigje as pas një jave pritjeje.
Aktualisht, Kosova përfiton nga programi Kompakt i Qeverisë amerikane, me vlerë mbi 230 milionë euro, i cili është i fokusuar në energji të pastër dhe stabilitet të furnizimit. Si pjesë e tij, vendi tashmë ka siguruar bateri me kapacitet të lartë për ruajtjen e energjisë.
“Asnjë përparim nuk ndodh në izolim. Shtetet e Bashkuara e mbështesin Kosovën në këto përpjekje, por suksesi varet nga angazhimi i vazhdueshëm i Qeverisë së Kosovës, sektorit privat, institucioneve financiare dhe shoqërisë civile”, tha Prattipati.
Pesë vjet më parë, Kosova hoqi dorë nga projekti për ndërtimin e infrastrukturës së gazit, i financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit e SHBA-së. Atëkohë, ministrja e Energjisë, Artane Rizvanolli, tha se “nevojiten më shumë informacione për të qenë të sigurt se ndërtimi i infrastrukturës së gazit është opsioni më i mirë për tranzicionin energjetik”.Në Strategjinë që u bë për vitet 2022-2031 u parapa mundësia që Kosova të lidhet me rrjetet rajonale të gazit në të ardhmen, dhe që qymyri të hiqet nga përdorimi më së voni deri në vitin 2050, për t'u lënë vend burimeve tjera energjetike.
“(Bashkë)investimi në termocentralet me gaz natyror, për qëllim të mbulimit të kërkesës bazë dhe/ose për fleksibilitet të sistemit në Shqipëri, por edhe në Maqedoni të Veriut dhe në Greqi, do të shqyrtohet me qëllim të zbatimit brenda afatit të kësaj strategjie”, thuhet në dokument.
“Mënyra më e lehtë e tranzicionit energjetik është përmes gazit, pasi, gjatë djegies, ai emeton rreth dy herë më pak dioksid karboni. Po ashtu, termocentrali me gaz vihet në punë shumë shpejt dhe ka kapacitet të kontrolluar prodhimi. Kosova ka probleme edhe me balancimin e energjisë, ndaj një termocentral me gaz do të ishte shumë i mirëseardhur, sidomos kur dihet se, viteve të fundit, po paguhen gjoba milionëshe për këtë arsye”, thotë Ejupi për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.
Po atë vit u publikua edhe një studim i financuar nga Banka Evropiane për Investime, i cili theksonte se burimet finale të gazit natyror për Kosovën mund të përfshijnë gazin rus, gazin e lëngshëm natyror nga Greqia, si dhe atë nga Kroacia.
Me ndryshimin e rrethanave gjeopolitike dhe zhvillimet e reja në terren, Ejupi thotë se gazi për Kosovën nuk është më çështje teknike, por e vendimmarrjes politike.
Ai shton se, sipas disa llogaritjeve dhe duke marrë parasysh investimet në TAP, ndërtimi i plotë i infrastrukturës së gazit në Kosovë mund të realizohet për 3 deri në 5 vjet, me një kosto që varion nga rreth 200 milionë deri në 400 milionë euro.
“Ne i kemi tri industri të mëdha aktualisht në Kosovë. Është Feronikeli, i cili është jashtë funksionit, është Trepça dhe Sharr-Cemi. Ato mund ta ndërrojnë sistemin e operimit prej energjisë elektrike në gaz”, shprehet Ejupi.
Duke e trajtuar këtë si çështje politike dhe prioritetesh, e jo thjesht teknike, Shaffer thotë se nisma e mbështetur nga SHBA-ja për ndërlidhjet e gazit në Ballkanin Perëndimor përbën një mundësi historike për diversifikimin e furnizimeve me energji dhe uljen e ndotjes.
“Nëse nuk je i sigurt në aspektin energjetik, nuk mund të jesh i sigurt si shtet. Nuk ka siguri kombëtare pa siguri energjetike - nuk mund të mbrohesh, nuk mund të ndërtosh industri të armëve... Kjo ka qenë gjithmonë qasja e SHBA-së: t’i ndihmojë aleatët dhe partnerët të bëhen të sigurt në aspektin energjetik, sepse nëse aleatët e tu janë të sigurt, atëherë edhe ti je i sigurt”, thotë Shaffer për Exposenë.Anne-Sophie Corbeau, nga Qendra për Politikat Globale të Energjisë me seli në Paris, thotë se Kosova nuk duhet domosdoshmërisht të orientohet drejt gazit. Sipas saj, kalimi nga qymyri te gazi nuk është zgjidhje automatike, pasi duhet peshuar rreziku i luhatjeve të tregut dhe mundësia që një varësi të zëvendësohet me një tjetër, në vend të një diversifikimi të vërtetë energjetik.
“Ajo që po shoh, është se i gjithë rajoni po kalon nga një varësi, që më parë ishte nga gazi rus, në një varësi tjetër që kryesisht lidhet me gazin e lëngshëm natyror amerikan. Të varësh nga ky gaz është në rregull, sepse mund të shfrytëzosh burime të ndryshme furnizimi. Por, nëse gjithçka vjen vetëm nga një vend i vetëm, edhe pse ai pritet të bëhet një eksportues shumë i madh i energjisë në të ardhmen, a do të doje të ishe i varur vetëm nga një shtet?”, thotë Corbeau për Exposenë.