Shefi i grupit parlamentar të Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka ngritur shqetësime lidhur me zhvillimet ekonomike dhe energjetike në vend, duke u bazuar në të dhëna që burojnë nga Oda Ekonomike e Kosovës.
Tahiri në një konferencë për media, ka deklaruar se të dhënat tregojnë një rënie të ritmit të rritjes ekonomike ndër vite, duke vënë në pikëpyetje pretendimet e qeverisë për performancë të lartë ekonomike. Ai theksoi se rritja e çmimeve të konsumit po godet rëndë qytetarët dhe ekonominë në përgjithësi.
Tahiri ngriti shqetësime edhe për sektorin e energjisë, duke e cilësuar situatën si të rrezikshme për funksionimin e shtetit dhe ekonomisë.
Sipas tij, mungesa e veprimeve konkrete nga qeveria dhe koordinimit institucional ka përkeqësuar situatën ekonomike, ndërsa vendet e rajonit kanë ndërmarrë masa për të përballuar krizën.Në fund, ai theksoi se kjo situatë lidhet me burokracinë administrative, mungesën e mbështetjes institucionale dhe një klimë të paqëndrueshme për zhvillimin e bizneseve në vend.