Bisedimet mes negociatorëve të Shteteve të Bashkuara dhe Iranit kanë nisur në Islamabad të Pakistanit, kanë raportuar mediat.
Pakistani është mikpritës i negociatave kyç mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, teksa në fuqi është armëpushimi i brishtë, i arritur më 7 prill.
Pavarësisht formatit të bisedimeve, këto janë negociatat e nivelit më të lartë mes dy vendeve që nga Revolucioni Islamik në Iran më 1979.
Delegacioni amerikan përfshin të dërguarit e posaçëm, Steve Witkoff, dhe Jared Kushner, si dhe zyrtarë nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare, Departamenti i Shtetit dhe Pentagoni. Ata përballen me një ekip iranian të udhëhequr nga ministri i Jashtëm Abbas Araqchi dhe kryetari i Parlamentit Mohammad Baqer Qalibaf.Megjithatë, detaje për takimet ende nuk ka.
Teksa negociatat po vazhdojnë në Pakistan, një postim i presidentit amerikan, Donald Trump, në rrjetet sociale dhe raportimet nga mediat shtetërore iraniane vunë në pah natyrën e tensionuar të bisedimeve.
Më herët gjatë së shtunës, televizioni shtetëror iranian raprotoi se është paraparë që fillimisht të diskutojnë për “premtimin e shkelur” të Shteteve të Bashkuara – që me gjasë është referencë për sulmet e Izraelit në Liban kundër Hezbollahut, grup i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Izraeli.
Nënpresidenti amerikan, JD Vance, ndodhet në sfidën më të rëndësishme diplomatike të mandatit të tij, pasi në Islamabad po udhëheq delegacionin amerikan në negociatat me iranianët.
Këto bisedime mund të përcaktojnë përfundimisht nëse armëpushimi i brishtë dyjavor do të respektohet, apo nëse rajoni do të rrëshqasë sërish drejt një konflikti të ri.
Megjithatë, teksa negociatat nisën më 11 prill, rruga drejt një zgjidhjeje të qëndrueshme mbetet e pasigurt, e formësuar nga presione konkurruese, dinamika të konfliktit rajonal dhe mospajtime thelbësore mbi kushtet për paqe.
Negociata të nxitura nga presioni, jo nga besimi
“Bisedimet janë serioze”, tha Bohl për Radion Evropa e Lirë më 10 prill, duke theksuar se ka apetit për të ndaluar një konflikt të gjatë nga SHBA-ja dhe nevojën urgjente për Iranin drejt një rruge për rindërtim dhe stabilitet të brendshëm.
“Por, mbetet pasiguri se deri në ç’masë secila palë është e gatshme të bëjë kompromise”.“Vullneti politik i Iranit, në terma afatshkurtër, nuk është aq i dobët sa ai i Amerikës”, tha Bohl. “Ata duket se mendojnë se mund ta përdorin këtë për të nxjerrë koncesione”.
Ky avantazh është po aq psikologjik sa edhe material. Sipas Bohlit, Teherani po gjen mundësi në mesazhet e paqëndrueshme të Uashingtonit.
Ky tension është më i dukshëm në Ngushticën e Hormuzit, arterien kyç për energjinë globale që Irani e ka kufizuar pjesërisht.
“Ngushtica e Hormuzit mbetet e mbyllur”, tha ai për REL-in.
Ndërsa vazhdon një “kalim i kufizuar” i anijeve, Irani e ka lidhur rikthimin e plotë të transitit me operacionet izraelite në Liban. “Kjo sigurisht po e minon përpjekjen aktuale”, shtoi Arbell.
“Irani ka treguar se aktualisht e kontrollon në mënyrë efektive Hormuzin”, tha ai. “Por, Trump mund të besojë ende se duhet të përdorë forcën për ta rihapur atë nëse Irani e përdor për shumë gjatë si kartë negocimi”.
Rezultati është një ekuilibër i paqëndrueshëm: një ngufatje strategjike që i jep Teheranit ndikim, por që rrezikon të shkaktojë pikërisht reagimin ushtarak, që ai përpiqet ta shmangë.
Bohl theksoi se Teherani e sheh këtë grup si thelbësor për të frenuar fushatat e ardhshme ushtarake izraelite: “Irani nuk mund të lejojë që Hezbollahu të eliminohet gradualisht nga izraelitët”.
Arbell vuri në pah dhunën e vazhdueshme si një pengesë kryesore. “Izraeli po bombardon objektiva në të gjithë Libanin... ndërsa Hezbollahu vazhdon të lëshojë raketa drejt veriut të Izraelit”, theksoi ai.Por, ka përpjekje për ta adresuar këtë çështje. Departamenti amerikan i Shtetit pritet të jetë mikpritës i bisedimeve në nivel ambasadorësh mes Izraelit dhe Libanit më 14 prill në Uashington. Megjithatë, Arbell paralajmëroi se pritjet duhet të jenë modeste.
“Duhet të jemi realistë”, tha Arbell. “Nuk do të ketë ndryshim brenda natës. Ky është një proces”. Ai shtoi se, ndërsa prioriteti i Izraelit është çarmatimi i Hezbollahut, grupi militant nuk ka gjasa të çarmatoset pa një ndryshim më të gjerë rajonal.
“Izraeli po mbronte idenë që të mos lidhen të dyja”, tha Arbell. “Por, ditët e fundit është bërë e qartë se Shtetet e Bashkuara presin që Izraeli të ulë tensionet… për të shmangur minimin e përpjekjes më të gjerë”.
Ai sugjeroi se një mesazh i qartë i SHBA-së për Netanyahun mund të lëshohet gjatë fundjavës, duke kërkuar përmbajtje për t’i dhënë shans diplomacisë.
Kufizimet e diplomacisë
Arbell paralajmëroi se SHBA-ja nuk mund të presë që Irani të “ndryshojë brenda natës” apo të dorëzohet. Ai argumentoi për një qasje pragmatike: “SHBA-ja duhet të sjellë ide që mund të zbatohen dhe të pranohen. Përndryshe, kjo nuk do të ndodhë”.
Të dy analistët shohin një përkim interesash për të ndalur konfliktin. Arbell theksoi se Irani ka nevojë për “hapësirë për të marrë frymë” për t’u rikuperuar nga shkatërrimet e sulmeve të fundit.
Por, ai paralajmëroi edhe një skenar më të paqëndrueshëm: nëse Uashingtonit i shteron vullnetu politik para Teheranit, Irani mund të ruajë kontroll joformal mbi Ngushticën e Hormuzit, duke mbajtur aftësinë për ta ndërprerë sërish kalimin në të ardhmen.
Pse Islamabadi mban çelësin“Mendoj se bisedimet në Pakistan janë më të rëndësishme”, tha Arbell. “Ajo që ndodh mes SHBA-së dhe Iranit ka ndikim më të madh në situatën e përgjithshme”. Ndryshe nga procesi kompleks Izrael–Liban, këto negociata mund të prodhojnë rezultate që zbatohen brenda ditësh.
Për nënpresidentin JD Vance, ky është një moment përcaktues. Suksesi mund të stabilizojë një rajon të paqëndrueshëm dhe të shënojë një arritje të madhe diplomatike për administratën Trump. Dështimi rrezikon të thellojë një cikël konflikti, të karakterizuar nga dhunë e përsëritur dhe kërcënime të vazhdueshme për ekonominë globale.