Një takim trepalësh mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë me të dërguarin e Bashkimit Evropian është duke u zhvilluar në Bruksel në kuadër të dialogut, të cilin e lehtëson blloku.
Sikur edhe herëve të mëparshme, së pari u zhvilluan takimet dypalëshe të përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, me shefin e delegacionit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe me atë të Serbisë, Petar Petkoviq.
Sipas burimeve nga Bashkimi Evropian, në këto takime do të shqyrtohen një varg çështjesh, përfshirë edhe implementimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit.
Takimi i fundit në këtë nivel në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja është zhvilluar më 23 tetor në Bruksel. Prej atëherë nuk ka pasur takime tjera.Ndërkohë, përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka shprehur gatishmërinë që të angazhohet aktivisht në procesin e dialogut.
Mandati i të dërguarit të Posaçëm për Dialog, Miroslav Lajçak, i vazhduar disa herë, do të përfundojë në fund të muajit janar të vitit që vjen.
Për Kosovën do të përsëritet thirrja që pa vonesa të nisë procesin e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa për Serbinë të nisë procesin për njohjen e dokumenteve dhe simboleve të Kosovës.
Këto thirrje pritet të jenë në konkluzionet për zgjerim që do të miratohen të martën në takimin e Këshillit të çështjeve të përgjithshme të BE-së.