Të paktën 99 palestinezë kanë humbur jetën në sulmet ajrore që Izraeli ka kryer në Rripin e Gazës pas njoftimit të armëpushimit më 15 janar.
Sipas agjencisë zyrtare palestineze të lajmeve WAFA, Izraeli me sulmet e tij ajrore që vazhdon në Rripin e Gazës bombardoi disa shtëpi dhe tendat ku qëndronin palestinezët e zhvendosur, transmeton Anadolu.
Gjithashtu avionët luftarakë izraelitë bombarduan shtëpinë e familjes "Berke" në qytezën Absan që ndodhet në lindje të qytetit Khan Yunis në jug të Rripit të Gazës. Në sulm humbën jetën të paktën 5 palestinezë ndërsa u plagosën shumë të tjerë.
Gjithashtu ushtria izraelite kreu 3 sulme ajrore edhe ndaj rajonit Jabalia në veri të Rripit të Gazës në të cilën ai vazhdon bllokadën e rreptë.
Sipas informacioneve të marra nga burimet lokale, në sulmet që Izraeli ka kryer pas njoftimit të armëpushimit në Gaza kanë humbur jetën 99 palestinezë, përfshirë 23 fëmijë dhe 27 gra.
Marrëveshja do të hyjë në fuqi të dielën, më 19 janar. Në 42 ditët e para të marrëveshjes së armëpushimit që përbëhet nga 3 faza, do të lirohen 33 pengje izraelite.
Detajet e fazës së dytë dhe të tretë do të shpallen sapo të përfundojë faza e parë.
Në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023 e deri më tani janë vrarë 46.788 palestinezë, përfshirë rreth 17.841 fëmijë dhe 12.298 gra, ndërsa janë plagosur 110.453 persona të tjerë.