El Ninjo dhe valët ekstreme të të nxehtit, Kastarati: Nuk ka vend për panik
Intervista
Lexohet për: 4 min.
Dëgjoje me zë...
El Ninjo dhe valët ekstreme të të nxehtit, Kastarati: Nuk ka vend për panik
aparatura per matje moti
24/05/2026 - 14:27
Linku u kopjua

El Ninjo është një fenomen klimatik që ndodh kur ujërat sipërfaqësore të Oqeanit Paqësor qendror dhe lindor ngrohen mbi mesataren, duke ndikuar në motin dhe reshjet në shumë pjesë të botës.

Ky fenomen ka rikthyer alarmin në mediat ndërkombëtare për valë të reja të të nxehtit ekstrem gjatë verës së viteve 2026 dhe 2027. Për këtë fenomen, ekspertët në Kosovë thonë se vendi ynë nuk preket drejtpërdrejt, por pasojat indirekte vërehen përmes temperaturave rekord, reshjeve të çrregullta dhe periudhave më të gjata të thatësisë.

Bashkim Kastrati nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës thotë për Kosovapress se termi “Super El Ninjo”, të cilën po e përdorin disa media ndërkombëtare, nuk ekziston zyrtarisht në klasifikimet meteorologjike ndërkombëtare sepse sipas tij ky fenomen nuk ka kategoritë e tij, ajo thjesht quhet “El Ninjo”.

“Si pasojë e kësaj pra, nëse themi kështu se uji i Oqeanit Paqësor, si oqeani më i madh në planetin Tokë, gjatë muajve  të pranverës edhe të verës sidomos, ngrohet më tepër se sa mesatarja e saj shumëvjeçare e sipërfaqes domethënë të oqeanit, atëherë krijohen rrymimet. Kjo ngjarje ndikon pastaj edhe në çrregullimin e erërave të qëndrueshme dhe natyrisht paraqitjen e periudhave të thatësirave nëpër disa zona apo nëpër disa vende të botës, konkretisht në pjesë të Australisë, pastaj të Azisë Juglindore, dhe paraqitjen e përmbytjeve, gjegjësisht të vërshimeve në pjesë të tjera të botës, sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pastaj në Amerikën Jugore, në Peru e kështu me radhë ”, shton ai.

Megjithëse Kosova nuk ndikohet drejtpërdrejt nga El Ninjo, Kastrati thotë se efektet indirekte janë të pashmangshme për shkak të ndryshimeve globale klimatike.

“Ndikimet kryesore të saj, tash po e ndërlidhim pra me vendin tonë apo me rajonin, konkretisht, mund të paraqiten do të thotë periudha me temperatura të larta. Pastaj mund të paraqitet shpërndarje e pabarabartë e reshjeve, mund të kemi për një periudhë të shkurtër intensitet më të lartë të reshjeve, pastaj paraqitjes së periudhave të thata, e cila reflektohet në hidrologji, gjegjësisht në atë balancimin apo bilancin hidrologjik të lumenjve, kemi rrjedha më të ulëta të lumenjve, të cilat shkaktohen me mungesë të ujërave sipërfaqësorë dhe nëntokësorë”, tha ai.

Sipas tij, vendi mund të përballet me valë të të nxehtit, temperatura tropikale mbi 35 gradë Celsius dhe mungesë lagështie në tokë, gjë që ndikon drejtpërdrejt në bujqësi, ekosisteme dhe shëndetin publik.

Kastrati thotë se është ende herët të lidhen luhatjet aktuale të temperaturave në Kosovë me fenomenin El Niño-n, pasi ky fenomen zhvillohet gradualisht dhe ndikimi i tij vërehet kryesisht në afat më të gjatë dhe kryesisht gjatë stinës së verës.

Ai kujton se Kosova tashmë po përjeton pasoja të dukshme të ndryshimeve klimatike. Sipas tij, korriku i vitit 2025 ka shënuar temperaturën më të lartë të regjistruar ndonjëherë në vend.

Ai shton se viteve të fundit është rritur ndjeshëm numri i ditëve tropikale, ndërsa dimrat po bëhen më të shkurtër dhe me më pak borë. Sipas Kastratit, kjo ka ndikuar drejtpërdrejt në uljen e prurjeve të lumenjve dhe në deficitin e ujërave sipërfaqësore e nëntokësore në disa rajone të Kosovës.

Por që sipas tij, të gjitha këto ndryshime kanë ndodhur për shkak të faktorëve të ngrohjes globale.

Megjithatë, ai apelon që qytetarët të mos krijojnë panik për verën e sivjetme, duke shtuar se në krahasim me vitet paraprake, viti 2025 ka qënë me stabil sa i përket sasisë së ujit. Kështu që edhe nëse do të jetë verë e nxehtë, sipas tij nuk do të ketë mungesë të ujit.

Por gjithsesi ai kërkon te publiku, ndërgjegjësim më të madh për kursimin e ujit dhe përballjen me ndryshimet klimatike.

Fenomeni ENSO (El Niño–Southern Oscillation) është sistemi i përgjithshëm klimatik që përfshin luhatjet midis kësaj faze të ngrohjes (El Niño), fazës neutrale dhe fazës së ftohjes (La Niña), dhe zakonisht zhvillohet në cikle të parregullta që zgjasin disa vite.

La Nina është faza e kundërt e El Niño-s, ku ujërat e Paqësorit ekuatorial ftohen nën mesataren për shkak të forcimit të erërave tregtare, duke sjellë sërish ndryshime të mëdha në modelet globale të motit dhe klimës.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026