Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka hapur aktivitetet e Javës Globale të Parasë (GMW) 2026, një iniciativë ndërkombëtare që synon promovimin e edukimit financiar dhe zhvillimin e aftësive financiare tek të rinjtë.
Sipas një komunikate, ceremonia hapëse përfshiu ndarjen e çmimeve për konkursin edukativ “Stock Market Learning Competition”, si dhe shpalljen e thirrjes për aplikim për “Çmimin për Ekonomistë të Rinj”.
Si pjesë e ceremonisë, u ndanë çmime për fituesit e garës Stock Market Learning Competition, ku studentë nga tetë fakultete ekonomike përjetuan në mënyrë praktike funksionimin e tregjeve financiare përmes simulimit të tregtimit në bursën virtuale të Stuttgartit. Gjithashtu, u shpërblyen 6 nxënës nga shkolla të ndryshme për performancën e tyre në kuizin financiar për shkollat e mesme.
BQK njoftoi se gjatë Javës Globale të Parasë 2026 do të zhvillojë edhe aktivitete edukative në të gjithë vendin, duke përfshirë gara, trajnime dhe aktivitete ndërgjegjësuese për nxënës dhe studentë. Po ashtu, hapja e thirrjes për Çmimin për Ekonomistë të Rinj synon të inkurajojë studentët dhe studiuesit e rinj për të kontribuar me punime kërkimore inovative në fushën e ekonomisë dhe financave.