Ngrohtorja e qytetit “Termokos” nga sot ka filluar furnizimin me ngrohje për lagjet që janë të kyçura. Nga ky vit, për herë të parë do të ketë edhe një numër të ndërtesave në disa lagje të Prishtinës, për të cilat do të fillojë furnizimi me ngrohje. Gjatë së mërkurës, kryetari i kryeqytetit ka vizituar Termokos-in, ku u tha se nuk pritet që të ketë telashe në furnizim gjatë sezonit ngrohës. Këtë vit ngrohja po fillon sezoni tri ditë para afatit zyrtar të zakonshëm.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama gjatë vizitës në ngrohtore ka parë përgatitjet e fundit para fillimit të furnizimit me ngrohje. Ai tha se këtë vit për herë të parë edhe një numër i madh i ndërtesave do të fillojnë furnizimin me ngrohje qendrore.
Po ashtu, kryetari i Prishtinës ka shtuar se kanë në plan zgjerimin e ngrohtores së qytetit. Rama theksoi se presin që ky sezon ngrohës të jetë stabil.
“Në aspekt të zgjerimit të Termokos-it, planet janë që të dyfishohet. Prej 140 megavat në 280 megavat. Po ashtu e kemi edhe projektin e madh të “Solor for Kosovo”, i cili shton edhe 35 kilovat në fazën e parë, në fazën e dytë edhe 40 kilovat që mundëson edhe një shtrirje edhe më të gjerë, për një numër edhe më të madh të 12 mijë unita shtesë”, ka shtuar kryetari Rama.
“Sot po e fillojmë më herët ngrohtoren, se sa që është e paraparë me ligj data 15 tetor. Ne jemi të përgatitur si ngrohtore që të fillojmë operimin normal, mirëpo ngrohtorja i ka edhe disa projekte të cilat po vazhdon t’i funksionalizojë. Siç është modernizimi dhe në stacione të reja, siç është rrjeti termik-zgjerimi i tij dhe ne u premtojmë qytetarëve të Prishtinës që gradualisht edhe gjatë kësaj sezone do të fillojmë të kyçim lagje të reja. Të fillojmë të lëshojmë nënstacionet e reja në punë. Mirëpo, duhet të na mirëkuptojmë në mënyrë të kontrolluar”, ka njoftuar Osmani.
Ai është pyetur nëse do të ketë ngrohje të qëndrueshme nga Termokos, por edhe për borxhin e konsumatorëve.
Nga java e ardhshme pritet të fillojë furnizimi me ngrohje për disa objekte të lagjes Mati 1. Gjatë këtij sezoni do të fillojë furnizimi edhe për 86 objekte banesore të vjetra në qendër, Ulpianë, Dardani dhe Breg të Diellit. Ngrohtorja e qytetit “Termokos”, planifikohet të mbulojë me furnizim me ngrohje 25 për qind të kryeqytetit.