Në nivel klubesh, ai synon daljen në Evropë, por Kosova është zgjedhja e tij e vetme në nivel të kombëtareve. Igball Jashari është njëri nga talentët më premtues në futbollin e Kosovës dhe kjo dëshmohet edhe me faktin që ai tashmë luan në klubin më të suksesshëm kosovar, Prishtinën.
Igballi është nipi i komandantit legjendar Adem Jashari dhe ai pranon se dashurinë për Kosovën e ka mësuar nga familja e tij derisa bartja e fanellës dardane i sjell ndjenjë të veçantë.
Madje, si qëllim kryesor Jashari thotë se e ka të luajë me Kombëtaren A të Kosovës.
“Normalisht qëllimi i çdo lojtari është Kombëtarja-A sepse unë kam shkuar në grupmoshat U15, U17, U19, U21 dhe për mua është sukses që të kalojë te Kombëtarja-A”, shton ai.
“Për ata unë nuk kisha mundur të flas sepse secili e di mendimin e vet se për kë do të luajë por normalisht unë nëse më vie mundësia do të luaja për Kombëtaren e Kosovës”, thekson Jashari.
Me admirim të madh Igballi flet edhe për klubin e tij aktual, Prishtinë. Klubin nga kryeqyteti ai e konsideron si “më të madhin në Kosovë”.
Por, përtej Superligës, Jashari synon daljen në arenën ndërkombëtare, atje ku mund të bëjë hapin e madh të karrierës së tij futbollistike.
“Normalisht synimet e çdo lojtari njëherë të luajnë këtu në Kosovë pastaj të kalojnë në ekipe evropiane siç kanë kaluar shumë lojtarë që kanë dal nga Superliga e Kosovës dhe shpresoj që një ditë të arrijë edhe unë të dal jashtë Kosovës”, thotë Jashari në fund.