Me prerjen solemne të shiritit është shënuar hapja e punimeve të projektit të përbashkët të Enos LLC dhe Kaptan Group, kompani të cilat synojnë të zhvillojnë projekte të mëdha ndërtimore dhe investuese në Kosovë, Shqipëri dhe rajonin e Ballkanit.
E ky projekt i madh i këtyre kompanive është projekti City Sky në Prishtinën e Re, i cili do të përfshijë 219 njësi banesore, mbi 3 mijë metra katrorë hapësira afariste dhe 313 vendparkime.
Në ceremoninë e organizuar në Prishtinë, drejtuesit e kompanive e cilësuan bashkëpunimin si bashkim të përvojës ndërkombëtare me inovacionin dhe vizionin modern për zhvillimin urban, duke theksuar se investimet e planifikuara synojnë të ndikojnë në transformimin e qyteteve dhe krijimin e hapësirave moderne të jetesës.
Pronari i Kaptan Group, Suleyman Kaptan, tha se kompania e tij po e sheh Ballkanin si një nga rajonet me potencialin më të madh për investime në vitet e ardhshme.Sipas tij, partneriteti me Enos LLC, është rezultat i një vizioni të përbashkët për të ndërtuar projekte që do të krijojnë vlerë afatgjatë për rajonin.
“Por një tjetër arsye kryesore është partneri im, motivimi i tij, vizioni dhe puna e tij e palodhshme. Kështu që ne u bashkuam. Kemi shumë ngjashmëri dhe besojmë se kjo është koha dhe vendi i duhur. Prandaj ne e quajmë këtë “Transformation Vision Builder”. Kjo është arsyeja pse e quajmë ndërtues vizioni dhe po e sjellim këtë transformim në këtë rajon. Ne besojmë plotësisht se e ardhmja është këtu dhe besojmë plotësisht se kjo është koha dhe vendi i duhur për të bërë biznes në gjithë Ballkanin”, tha ai.
Ai theksoi se projekti është rezultat i viteve të tëra pune dhe përkushtimi. Ndërkaq sipas tij, çdo projekt që mban emrin Enos ndërtohet me një parim: “fjala e dhënë duhet të mbahet deri në fund”.
Përmes një video-mesazhi, zëvendëspresidenti i China British Technology Association, Daniel Lee, vlerësoi bashkëpunimin ndërmjet kompanive, duke i cilësuar ato si partnere të besueshme me vizion të qartë për zhvillimin e sektorit të ndërtimit në Ballkan.
“Së bashku ndajmë një vizion të mirë për të ndërtuar objekte të reja dhe moderne, si dhe për të furnizuar materiale moderne dhe miqësore me energjinë në gjithë rajonin e Ballkanit. Dhe ne jemi vërtet krenarë që kemi mundësinë të punojmë së bashku”, tha ai.
“Nga toka e dashurisë dhe paqes, Emiratet e Bashkuara Arabe, vendi i bashkëjetesës, shtëpi e më shumë se 200 kombësive, pikëtakim kulturash dhe destinacion global për investime dhe turizëm, riafirmojmë mbështetjen tonë të plotë për projekte të tilla cilësore dhe besimin tonë të fortë në mundësitë për rritje dhe zgjerim në të gjithë rajonin e Ballkanit”, tha ai përmes një video mesazhi.
Në kuadër të planeve të ardhshme u prezantua edhe një projekt urban në Podujevë, i cili do të shtrihet në mbi 80 mijë metra katrorë dhe do të kombinojë banimin, biznesin, teknologjinë dhe argëtimin në një destinacion të vetëm modern.
Kaptan Group është një kompani ndërkombëtare e ndërtimit dhe inxhinierisë, e themeluar në Stamboll në vitin 1992 nga inxhinieri Suleyman Kaptan. Kompania ka realizuar projekte në Arabinë Saudite, Irak, Sudan, Bahrein dhe vende të tjera të Lindjes së Mesme.
Ndërkaq, Enos LLC, e themeluar në vitin 2021, operon në sektorin e ndërtimit dhe zhvillimit urban në Kosovë dhe Shqipëri, me projekte në Prishtinë, Ferizaj, Podujevë dhe lokacione të tjera, duke u fokusuar në arkitekturën moderne, cilësinë premium dhe konceptet bashkëkohore të jetesës.