Udhëtarët në aeroportin e Rinasit janë të shumtë çdo ditë, jo vetëm në daljet nga vendi, por edhe në hyrjet, ku një pjesë e mirë janë turistë që zgjedhin të vizitojnë vendin tonë.
Tirana është një pikënisje e itinerarëve që turistët bëjnë për të njohur Shqipërinë. Kjo e ka ndihmuar kryeqytetin që vitet e fundit të ketë një rritje të vizitoreve te huaj që ndalojnë në atraksionet turistike dhe kanë kuriozitet për traditat tona.
Interes për turistët kanë muzeumet ku arrijnë të mësojnë më shumë rreth historisë së vendit tonë, për ndërtimet por dhe për peisazhet natyrore.
“Po më pëlqen shumë Tirana sepse po shoh që ka një ndërthurje mes të kaluarës dhe modernes dhe mendoj se kjo është tipike për Tiranën se jeni një vend që po pësoni ndryshime, po bëheni një vend më modern dhe kjo ndihet kur e viziton. Erdha në Tiranë sepse doja një destinacion që nuk e njihja, pra që nuk kisha qenë më parë por edhe bileta për të ardhur ishte e lirë. Tirana më ka lënë një përshtypje mjaft të mirë”, tha një tjetër turiste.