Në praninë e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, sot u nënshkrua Marrëveshja e Mirëkuptimit për financimin e projektit “Sanimi i kanalit kryesor, ana e djathtë e Burimit në Istog me gjatësi L = 1,574 m”, ndërmjet Ministrit në detyrë të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja dhe Kryeshefit Ekzekutiv të KRU “Drini i Bardhë” Sh.A. Pejë, Izet Qelaj.
“Ky investim synon rehabilitimin e njërit prej sistemeve kryesore të ujitjes në zonën e Istogut, me qëllim të rritjes së efikasitetit në furnizimin me ujë për tokat bujqësore dhe krijimit të kushteve më të mira për zhvillimin e bujqësisë dhe prodhimit vendor.
“Përmes kësaj marrëveshje po krijojmë kushtet për realizimin e projektit për sanimin e Kanalit Kryesor në Burim të Istogut, një investim i domosdoshëm për fermerët e kësaj zone dhe për të gjithë përdoruesit që varen nga ky sistem i ujitjes”, ka thënë Ministri Muja.
Ai theksoi se kanali, i ndërtuar para më shumë se gjashtë dekadash, ka pësuar dëmtime të konsiderueshme ndër vite, duke shkaktuar humbje të mëdha të ujit dhe vështirësi në furnizimin e qëndrueshëm të tokave bujqësore.Ministri bëri të ditur se MBPZhR-ja do ta financojë në tërësi këtë investim në vlerë prej rreth 469 mijë euro, duke e cilësuar këtë si dëshmi të përkushtimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për të investuar në infrastrukturën e ujitjes dhe për të mbështetur drejtpërdrejt fermerët dhe prodhuesit vendorë.
Ai falënderoi Kryeministrin për mbështetjen e vazhdueshme ndaj sektorit të bujqësisë dhe projekteve që ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të zonave rurale, si dhe KRU “Drini i Bardhë” për bashkëpunimin institucional dhe angazhimin në realizimin e projektit.