Adem Jashari i ri nuk është më “single”. Nipi i kryeheroit të Kosovës, ish komandantit të UÇK-së Adem Jasharit, është fejuar, të hënën, me Yllka Tahirin, vajzën që ka prejardhje nga Vllahia e Shalës së Bajgorës në Mitrovicë.
Lajmin, i cili u vërejt me një ditë vonesë nga mediet, u bë i ditur nga vetë nusja, mbrëmjen e së hënës.
Lajmi për këtë fejesë u konfirmua më pastaj edhe nga babai i nuses, Xhevdet Tahiri, i cili, në një njoftim në Facebook, nuk kurseu emocionet dhe krenarinë teksa urimit për vajzën e tij dhe dhëndrin e shoqëroi me fotot e të dyve, nga një natë më parë.
“Sot zemra ime rrah me fort se kurrë! Vajza ime, Yllka, po nis një kapitull të ri të jetës së saj duke u fejuar me Ademin, nipin e Komandantit Legjendar Adem Jashari. Yllka, qofsh e lumtur pranë këtij djaloshi që mban një emër të madh e të ndritur. Jemi krenarë që familja jonë po bashkohet me një derë që është simbol i qëndresës dhe dashurisë për atdheun”, ka shkruar ai.Fejesa e Yllkës dhe Ademit ka tërhequr vëmendje mediatike në nivel mbarëkombëtar, jo vetëm si një moment i rëndësishëm personal, por edhe për simbolikën që mbart lidhja me familjen Jashari, që është kryeshtylla e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.