Futbollistët e Kombëtares shqiptare janë rikthyer sërish në fushën e blertë pas periudhës së pushimeve dimërore, duke dhuruar paraqitje pozitive në fushë, ku nuk kanë munguar as golat.
Sulmuesi kuqezi, Sokol Cikalleshi po kalon një formë mjaft të mirë në kampionatin e Arabisë Saudite. Bomberi shqiptar kaloi në avantazh ekipin e tij Al Khaleej që në minutën e 9-të, teksa ky është goli i tretë i sulmuesit kuqezi në këtë sezon futbollistik. Edhe Ernest Muçi ka arritur të rikthehet sërish te goli, duke realizuar dopietë personale në miqësoren që Legia e Varshavës zhvilloi kundër Cukaricki-t.
Sakaq, të dielën, tekniku i ekipit kombëtar ndoqi ndeshjen tjetër të kësaj jave në kampionatin italian, Roma-Fiorentina, ku mbrojtësi shqiptar Marash Kumbulla u rikthye si titullar në radhët e verdhekuqve dhe luajti për 90 minuta.
Pas fitores së Romës, djaloshi kuqezi mori edhe vlerësime nga trajneri i ekipit verdhekuq, Jose Mourinho, ndërsa sipas uebsajtit të specializuar për statistika, Kumbulla është vlerësuar me notën 7.3. Ndërkaq, trajneri Sylvinho do të ndjekë edhe mbrëmjen e sotme ndeshjen tjetër të Serisë A, Empoli – Sampdoria, ku luajnë dy kuqezinjtë, Ardian Ismajli e Nedim Bajrami.
Pas transferimit në ekipin grek Panathinaikos, Enis Çokaj po gjen hapësirat e munguara, teksa edhe këtë fundjavë u aktivizua në fraksionin e dytë të ndeshjes kundër PAS Giannia-s. Ndërkaq, edhe Odise Roshi e Endri Çekiçi patën minutat e tyre me ekipet respektive në kampionatin turk.