Sot, në ambientet e Federatës së Futbollit të Kosovës në Prishtinë, është mbajtur Kuvendi i Rregullt i Punës, ku pjesëmarrës ishin 49 delegatë, derisa me pjesëmarrje kuvendin e nderuan edhe Marco Ferri, përfaqësues i FIFA-s, Denis Bastari, përfaqësues i UEFA-s, Lutfi Nuriu e Ilir Shulku, përfaqësues të FSHF-së dhe Musa Selimi, përfaqësues i KOK-ut.
Kuvendi u drejtua nga presidenti i FFK-së, Agim Ademi, i cili në fjalën e tij përshëndetëse theksoi progresin e arritur nga federata në zhvillimin e futbollit kosovar, si dhe sfidat që e presin për të ardhmen.
Ai shprehu mirënjohjen e tij ndaj klubeve dhe të gjithë aktorëve të futbollit për bashkëpunimin dhe rritjen e cilësisë së futbollit në vendin tonë dhe i falënderoi për vendosjen e një standardi të lartë dhe model për kuvende të tilla konstruktive.
Përfaqësuesi i FIFA-s, Marko Ferri, tha se kjo është vizita e tij e parë në Kosovë dhe shprehu mirënjohjen për mikpritjen.Ai theksoi se FIFA ka investuar 13 milionë dollarë në Kosovë që nga anëtarësimi i FFK-së, përfshirë 1.5 milionë dollarë për implementimin e sistemit VAR dhe 800 mijë dollarë për ndërtimin e stadiumit në Hajvali.
Përfaqësuesi i UEFA-s, Denis Bastari, përcolli përshëndetjet e presidentit Aleksander Çeferin dhe vlerësoi punën e FFK-së në vitin 2024.
“Investimet në infrastrukturë kanë transformuar cilësinë e futbollit në Kosovë, ndërsa niveli i kampionateve vendase është rritur ndjeshëm. Një arritje e madhe ka qenë futja e Kosovës në mesin e 100 kombëtareve më të mira në renditjen e FIFA-s, që është rezultat i punës së palodhur të FFK-së dhe presidentit Ademi. Shqipëria dhe Kosova ndajnë të njëjtin pasion për zhvillimin e futbollit dhe do të vazhdojmë bashkëpunimin për projekte të reja”, tha Shulku, duke i uruar Kosovës suksese në kualifikueset e Kupës së Botës dhe për ndeshjen play-off në Ligën e Kombeve ndaj Islandës.
Gjatë punimeve të kuvendit, delegatët shqyrtuan dhe miratuan raportin e punës dhe raportin financiar për vitin e kaluar, si dhe miratuan buxhetin për vitin 2025 që do të jetë mbi 21 milionë euro. Gjithashtu u votuan edhe disa ndryshime statutare të bazuara në Ligjin e ri për sport. Të gjitha pikat e rendit të ditës u aprovuan unanimisht.