Qytetarët e Prizrenit po vazhdojnë t’i drejtohen kutive të votimit për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të drejtë vote në Prizren kanë 184 mijë e 671 qytetarë, ndërsa të drejtën e votës deri në ora 16:34 e kanë shfrytëzuar 33 mijë e 129 prej tyre.
“Në këtë qendër të votimit që është edhe qendra më e madhe në Prizren me numër të votuesve, gjithçka ka qenë në rregull, në ora 07:00 janë hapur vendvotimet, të gjithë komisionarët kanë qenë prezentë dhe nuk kemi pasur ndonjë shqetësim apo parregullsi të lajmëruar, së paku deri më tash. Dje janë sjellë të gjitha materialet josensitive, janë përgatitur të gjitha klasat. Janë nëntë vendvotime këtu. Në bazë të listës votuese, në këtë qendër janë mbi 8 mijë e 200 votues. Deri në orën 15:00, kanë votuar 1 mijë e 883 votues, i bie diku 23 për qind. Tash e presim fluksin, që për hir të kohës edhe ka qenë shumë nxehtë në Prizren, tash në mbrëmje pritet.. ka filluar në orën e fundit të ketë me rritje, por edhe mëngjesi i hershëm ka qenë pak por jo diçka e madhe”, tha ai për KosovaPress.
Deri në ora 16:34, pjesëmarrja në zgjedhje është 22.99 për qind, ku 450 mijë e 641 qytetarë e shfrytëzuan të drejtën e votës. Kjo pjesëmarrje është për afro 7 për qind më e ulët krahasuar me zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit të kaluar.