Në krah të SHBA-së kundër Iranit, sa e sigurt është Kosova?
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Në krah të SHBA-së kundër Iranit, sa e sigurt është Kosova?
KFOR
08/03/2026 - 15:22
Linku u kopjua

Shumë shpejt pasi bombat e para ranë mbi Iran - duke ndezur një konflikt që brenda orësh mori përmasa rajonale - autoritetet e Kosovës nxituan të dilnin në krah të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dënuan regjimin iranian dhe riafirmuan mbështetjen e tyre për aleancën perëndimore.

Presidentja Vjosa Osmani tha se, falë udhëheqjes së SHBA-së dhe presidentit Donald Trump, koha e lirisë për popullin e Iranit po vjen, shkruan REL.

Në një reagim në X, ajo shtoi se Kosova do të vazhdojë t’i mbështesë veprimet e ndërmarra nga SHBA-ja dhe aleatët e tjerë për t’i dhënë fund regjimit iranian, ndërsa dënoi fuqishëm sulmet e këtij të fundit kundër aleatëve në Lindjen e Mesme.

Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën sulmet e përbashkëta kundër Iranit më 28 shkurt, me synimin për të frenuar programin bërthamor të këtij vendi. Në kundërpërgjigje, Irani dhe mbështetësit e tij po godasin objektiva në vendet aleate të SHBA-së - nga Arabia Saudite deri në Qipro - pavarësisht paralajmërimeve të Trumpit kundër hakmarrjes.

“Më mirë mos ta bëjnë këtë, sepse, nëse e bëjnë, do t’i godasim me një forcë që nuk është parë kurrë më parë”, shkroi Trump në rrjetin Truth Social.

Disa orë pas nisjes së sulmeve, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mblodhi Këshillin e Sigurisë për të diskutuar situatën, dhe tha se Kosova po monitoron nga afër implikimet e mundshme për vendin dhe rajonin.

Qeveria e tij nuk iu përgjigj Radios Evropa e Lirë mbi implikimet e mundshme apo masat konkrete që mund të merren. Po ashtu, as Presidenca, as Ministria e Punëve të Brendshme, as Policia e Kosovës dhe as Departamenti amerikan i Shtetit nuk dhanë asnjë koment.

Kosova strehon kampin Bondsteel - bazën më të madhe ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Ballkan - dhe rreth 600 ushtarë amerikanë, që shërbejnë në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR.

Në një përgjigje dhënë Radios Evropa e Lirë, një zyrtar i NATO-s tha se KFOR-i vazhdon të përmbushë mandatin e tij për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Forca dhe pozicioni i KFOR-it rishikohen dhe përshtaten herë pas here, sipas zhvillimeve të situatës, në mënyrë që misioni të mbetet i efektshëm për qëllimin e tij. Aktualisht, nuk po shqyrtohen ndryshime të rëndësishme”, tha zyrtari i NATO-s.

Irani dhe mbështetësit e tij sulmuan disa baza dhe misione të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre në Lindjen e Mesme. Një bazë britanike në Qipro ishte gjithashtu shënjestër e sulmeve me dronë. Autoritetet qipriote thanë se, sipas vlerësimeve fillestare, dronët u lëshuan nga Hezbollahu - grup militant i mbështetur nga Irani - nga territori i Libanit.

Incidenti nxiti reagim të menjëhershëm evropian: disa shtete dërguan avionë luftarakë dhe fregata në Qipro, për të forcuar mbrojtjen ajrore dhe detare të ishullit mesdhetar, mes frikës për një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026