Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka marrë vendim për ndalimin e importit të shpezëve të gjalla nga një zonë e prekur në Shqipëri për shkak të gripit të shpezëve-H5N8. Në vend, aktualisht nuk ka asnjë rast të dyshuar me këtë virus. AUV thotë se kanë marrë të gjitha masat operative për të parandaluar përhapjen e sëmundjes në fermat e Kosovës.
Zyrtari për informim i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi thotë për KosovaPress se pas raportimit të autoriteteve shqiptare për prezencën e gripit të shpezëve, kanë marrë vendim për ndalimin e importit nga zona e shpërthimit të sëmundjes.
Thaçi thekson se në masat e vendosura nuk përfshihen edhe zonat tjera. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, sipas tij, ka qenë në komunikim me autoritetet në Shqipëri që nga java e kaluar dhe se të gjitha shtetet në rajon janë në situatën emergjente ku kanë ngritur nivelin e kontrollit.
“Kjo është një sëmundje virusale që prek shpezët dhe përhapja e tyre zakonisht bëhet përmes kontaktit direkt mes shpezëve. Por, mund të përhapet edhe duke mos ndërmarrë masa të bio-sigurisë në fermat ku janë të prekura. Shtetet zakonisht pas konfirmimit të një rasti në një fermë, ndërmerren masat e karantinimit të fermës, kryhen asgjësimet në atë fermë dhe shpallet zona që duhet të monitorohet se a ka raste të tjera të dyshimta apo jo. Dhe në secilin rast që ka shenja klinike, ndërmerren veprimet e saj”, tha Thaçi.
“Të gjithë fermerët në Kosovë janë të informuar për masat që duhet të ndërmerren. Ne këtë sëmundje e kemi pasur prezente në Kosovë, qysh në majin e vitit të kaluar dhe në vazhdimësi gjatë gjithë vitit, në mënyra të ndryshme kemi bërë lajmërime të rasteve. Shtabi emergjent i AUV-it ka qenë aktiv gjatë gjithë kohës dhe janë ndërmarrë të gjitha veprimet në terren për parandalimin të përhapjes. Fillimisht kemi pasur raste të prekjes vetëm tek ekonomitë familjare, pulat, oborret që mbajnë fermerët. Ndërkaq, në shtator dhe tetor kemi pasur raste të prekjes së fermave komerciale”, tha Thaçi.
Zyrtari për informim në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi deklaron se janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet shqiptare për të marrë informacione në baza ditore lidhur me mundësinë e përhapjes në zona të tjera.