Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit Arbërie Nagavci, i ka uruar mësimdhënësit në ditën botërore të tyre.
Nagavci në letrën e urimit shkruan se muaji i fundit s’ka qenë i lehtë dhe se është e vetëdijshme për gjendjen aktuale në arsim.
Ministrja Nagavci ka shtuar se do të jenë bashkë, në përballje me gjithë pengesat, me vullnetin e hekurt dhe me besimin që të arrimë bashkë rezultatet që duam, ta fisnikërojmë edhe më tutje profesionin e mësuesit.
Shkrimi i plotë:
E dashur mësuese, i dashur mësues, ti do të gjesh forcën, zërin, vullnetin për progres, për vete, për nxënësit, për vendin. Andaj dhe jemi e do të jemi bashkë, në përballje me gjithë pengesat që kemi pasur dhe vazhdojmë të kemi, me vullnetin e hekurt dhe me besimin që të arrimë bashkë rezultatet që duam, të fisnikërojmë edhe më tutje profesionin e mësuesit. Sepse mësuesi ka dinjitet, dinjitetin që e krijon vet, që edhe po deshi t’ia marr e humb dikush s’mundet. Ashtu sikur nuk mund të marrësh shkëlqimin e syve të fëmijëve, që ndjejnë e vlerësojnë njerëzoren, dashurinë, përkrahjen e mësuesit.
Kisha fatin të jem vajzë e dy prindërve mësues, e rritur e rrethuar me libra e fletore pune, me grumbuj të fletoreve të nxënësve. Më tingëllojnë akoma të gjalla bisedat e nënës e babait, për planifikimet, mbaj mend si sot se si ndjeheshin krenar me hartimet e bukura të nxënësve të tyre, me detyrat e sukseset e tyre, si i trajtonin nxënësit e tyre, njëjtë me ne, fëmijët e tyre. Jam e bindur se i kanë kujtimet e përafërta fëmijët e të gjithë mësuesve, se njëjtë është situata në çdo familje mësuesish, me planifikime, konsultime, përpjekje për më shumë e më mirë në punën e përditshme.
Jam shumë e vetëdijshme për gjendjen aktuale në arsim, e kam përjetuar në të gjitha nivelet, dhe kjo ka bërë që në secilën punë time, nga angazhimi im si deputete dhe sot si ministre, që nga dita e parë në zyret e Ministrisë së Arsimit kemi filluar dhe po vazhdojmë të marrim nisma e vendime që do të çojnë ligjërisht dhe praktikisht në një gjendje më të mirë në të gjitha nivelet e arsimit.
Si ministri jemi maksimalisht të angazhuar në rregullimin e sektorit të arsimit, të cilin e kemi gjetur me shumë mangësi në të gjitha hallkat e funksionimit të saj, që ndër vite, është prekur pothuajse më së rëndi dhe pasojat po i vuajmë ende. Dhe padyshim, fajtorët nuk janë të panjohur. I dini ju, të nderuar mësues, po aq mirë, sa secili nga ne.
Puna juaj e madhe në arsimim të gjeneratave nuk mund dhe nuk guxon vihet në pikëpyetje nga askush. Mësimdhënia nuk është e lehtë, por puna me nxënës është përgjegjësi, dhe këtë përgjegjësi ua kemi besuar juve.
Të dashur mësimdhënës, duhet të fitojmë betejën e madhe për një mësimdhënie cilësore, ky është e duhet të jetë mbi të gjitha preokupimi jonë i përbashkët, kjo është përgjegjësia jonë e përbashkët ndaj fëmijëve, qytetarëve e vendit. Jam e vetëdijshme që kjo kërkon shumë punë, shumë energji e vullnet nga të gjithë, shumë përkrahje për ju në rrugëtimin e juaj të përditshëm në ballafaqim me përgjegjësinë e edukimit të brezave.
Dita Botërore e Mësuesit, 5 tetori, e shpallur nga UNESCO në vitin 1994, u zgjodh me shkas, pasi në vitin 1966 u bë një hap i rëndësishëm për statusin e mësuesit, me vendosjen e standardeve në lidhje me të drejtat e mësuesve. Dita e Mësuesit synon të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e rolit të mësuesit në të gjithë botën.
Le të jemi dhe ne bashkë në respektim të standardeve më të larta, në përmbushje të besimit të shoqërisë për mirë edukimin e fëmijëve, për progresin e të gjithëve.