Në përvjetorin e njëzet e shtatë të masakrës në Krushë të Vogël, sot u rivarros Ajvaz Shehu, i cili më 1999 ishte gati 16 vjet. Që nga ajo kohë deri para tetë vitesh familjarët nuk kanë ditur asgjë për fatin e tij.
Para tetë vitesh, eshtrat e tij u gjetën në Shirokë, porse nëna nuk kishte pranuar të varroset, duke refuzuar se i përkasin trupit të djalit të saj.
Shehu tha se historia e familjes së tij por edhe fshatit është një rrëfim i tmerrshëm e një dhimbje e papërshkrueshme.
Ndërsa, në mesin e të vrarëve kanë qenë 9 anëtarë të familjes së tij, babai, katër vëllezër dhe katër djemtë e vëllezërve.
“Mesin e këtyre kanë qenë 9 anëtarë të mi, që janë shtëpisë time baba, 4 vëllezër edhe 4 djemtë e vëllezërve. Në mesin e tyre është edhe Ajvazi. Ky është para 8 viteve i identifikuar. Po, nëna e tij si çdo nënë nuk dëshironte ta pranonte që ai nuk ekziston. Edhe aty është problemi që unë, nëna para 6 viteve ka ndërru jetë, unë vendosa mbasi që 6 të tjerë i kam të varrosur, edhe këtë ta varros. Mu më mungojnë edhe dy vetë. Vëllai i madh edhe vëllai i dytë”, tha ai.
Krusha e Madhe përkujton sot të vrarët dhe të masakruarit nga forcat serbe, ku nuk janë kursyer as gratë, fëmijët dhe pleqtë.
Masakra e Krushës së Madhe është një nga masakrat më të turpshme e kryer mbi popullsinë civile dhe njëra ndër masakrat dhe vrasjet masive që u bënë prej paramilitarëve, policisë dhe ushtrisë okupuese serbe anekënd Kosovës, përcjell KosovaPress.
Për kriminelët serb masakra ishte diçka e zakontë, diçka që sipas tyre duhej të ndodhej vetëm me qëllimin të eliminimit të popullsisë shqiptare në Kosovë.