“I gëzofsha 150 euro”, pensionohet gazetarja veterane Dijana Toska - shpreh pakënaqësi për trajtimin e brezit të saj
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
“I gëzofsha 150 euro”, pensionohet gazetarja veterane Dijana Toska - shpreh pakënaqësi për trajtimin e brezit të saj
Dijana Toska
30/06/2026 - 08:38
Linku u kopjua

Pas një karriere të gjatë në gazetari dhe raportim në periudha të vështira, gazetarja Dijana Toska ka njoftuar pensionimin e saj, duke shprehur njëherësh pakënaqësi për mënyrën se si institucionet trajtojnë brezin që kontribuoi në rrethana të jashtëzakonshme, por që sot përballet me mungesën e dëshmive administrative për punën e bërë.

Në një reagim në Facebook, Toska e cilësoi pensionimin si një moment të hidhur reflektimi, duke thënë se një jetë e tërë pune, raportimesh, udhëtimesh, përgjegjësie dhe sakrifice nuk mjafton nëse nuk shoqërohet me dokumentacionin që kërkon sistemi.

Ajo theksoi se, ndonëse mund ta dëshmojë kontributin e saj me mijëra kronika, raportime, mirënjohje dhe kujtime, nuk disponon dokumentet administrative që sot kërkohen për njohjen e plotë të stazhit të punës.

Sipas saj, brezi i gazetarëve dhe veprimtarëve që punuan gjatë viteve të represionit dhe luftës nuk kishte kontrata pune apo sigurime pensionale, por përballej me largime nga puna, kontrolle, dhunë dhe rrezik të vazhdueshëm. Për këtë arsye, Toska tha se shumë prej kontributeve të asaj kohe nuk janë evidentuar në arkivat shtetërore.

"Ka dallim mes kontribut-paguesit dhe kontribut-dhënësit. Brezi ynë ndoshta nuk figuron si kontribut-pagues në arkivat e shtetit, por ishte kontribut-dhënës në çdo aspekt të jetës shoqërore dhe kombëtare", ka shkruar ajo në Facebook.

Në reagimin e saj, Toska kritikon faktin se sot sistemi njeh kryesisht dokumentet zyrtare, ndërsa, sipas saj, sakrifica, puna humanitare dhe angazhimi profesional në periudha të jashtëzakonshme mbeten jashtë vlerësimit institucional.

Ajo shprehet se është e dhimbshme kur një brez që kontribuoi në ndërtimin e shtetit dhe raportoi në kohë lufte përballet me pensione të ulëta dhe me vështirësi për të dëshmuar vitet e punës.

"Pensioni erdhi. Fjala nuk del në pension. Me shnet i gzofsha 150 euro!", përfundon ajo teksa shpreh pakënaqësinë e saj për vlerësimin institucional dhe nivelin e pensionit që do të marrë pas një jete të tërë në shërbim të gazetarisë.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026