Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e 250-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, duke theksuar rolin historik që SHBA-ja ka pasur në mbështetjen e popullit shqiptar dhe të drejtës për vetëvendosje.
Në një postim me rastin e 4 Korrikut, Kurti kujtoi se Deklarata e Pavarësisë e vitit 1776 nuk ka rëndësi vetëm si një ngjarje historike, por edhe si një dokument që ka frymëzuar popujt në mbarë botën me parimet universale të lirisë, barazisë dhe të drejtave të patjetërsueshme të njeriut.
Kurti rikujtoi gjithashtu mbështetjen e SHBA-së për Kosovën, duke veçuar deklaratën e ish-presidentit George W. Bush në Tiranë më 10 qershor 2007, kur ai tha se “Kosova është e pavarur”, duke e cilësuar atë si një nga momentet më të rëndësishme të historisë së re shtetformuese të Kosovës.
Sipas tij, në harkun kohor prej gati një shekulli, nga mbështetja për Shqipërinë deri te pavarësia e Kosovës, Shtetet e Bashkuara kanë qenë dy herë vendimtare në përkrahjen e aspiratave shqiptare për liri dhe vetëvendosje.