Rrënimet që nisën përskaj liqenit të Ujmanit dy ditë më parë, do të vazhdojnë edhe te të paktën dy liqene të tjera, artificiale – te Batllava dhe Badovci.
Është ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ajo që u zotua se mbrojtja e resurseve ujore mbetet një prej prioriteteve strategjike të saj. Andaj, paralajmëroi vazhdimin e aksioneve për lirimin e pronave ujore të uzurpuara dhe të objekteve të ndërtuara pa leje.
Ministria ka theksuar se ky angazhim po zbatohet në të gjithë territorin e Kosovës, duke përmendur aksionin e fundit në zonën e Liqenit të Ujmanit.
“Aksioni i fundit në zonën e Liqenit të Ujmanit, ku me asistimin e Inspektoratit të MMPH-së dhe Policisë së Kosovës u rrënuan 16 objekte të ndërtuara pa leje në pronat ujore nën administrimin e N.P. ‘Ibër-Lepenci’, është vetëm një nga hapat e këtij plani. Të gjitha palët e përfshira në këtë aksion ishin njoftuar paraprakisht në përputhje të plotë me procedurat ligjore”, thuhet më tej.“Në kuadër të të njëjtit prioritet strategjik, po shqyrtohen me intensitet të lartë edhe kërkesat e tjera institucionale që lidhen me uzurpimet dhe ndërtimet pa leje sidomos rreth Liqenit të Batllavës dhe Liqenit të Badovcit, dy burime kyçe të furnizimit me ujë të pijshëm për qytetarët tanë. Inspektorati i MMPH-së po vijon identifikimin e plotë të shkeljeve në këto zona dhe, sapo të përfundojë ky proces, do të ndërmerren masa të menjëhershme ligjore për rikthimin e këtyre hapësirave në funksion të interesit publik”, theksohet në reagim.
Ministria ka bërë të ditur se Inspektorati po vazhdon monitorimin edhe në zonat e mbrojtura dhe parqet kombëtare, duke ritheksuar përkushtimin për zbatimin e ligjit.