Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i ka ndarë mirënjohje këngëtarit Yll Limani për kontributin e tij në promovimin e muzikës shqiptare.
Kjo, pak orë para koncertit që ky I fundit do ta mbaj në periferi të kryeqytetit.
“Kam kënaqësi me prezantu Yll Limanin ikonën edhe të kryeqytetit, edhe të Kosovës, edhe të gjithë shqiptarisë. Sonte e nesër kemi me shijuar përmasa të yllit në kryeqytetin tonë. Faleminderit! Mirë se ke ardhur Knaqesi me te pas”, tha Rama.
Ndërkaq, Yll Limani u shpreh se para koncertit po përjeton emocione dhe stres, ndërsa falënderoi organizatorët për ftesën. Ai tha se është i lumtur që do të performojë para publikut dhe premtoi dy mbrëmje me shumë muzikë.Menaxheri i këngëtarit, Bonart Ajvazi njoftoi se ky koncert është i fundit në Ballkan, për këtë vit.
“Data të tjera në Ballkan nuk ka. Do të thotë, mbaron me sot e nesër në Prishtinë edhe përfundon faza dy. Do të ketë edhe data të tjera, koncerte të tjera në fazën tre. Por, atë po ua lëmë surprizë, kur t’i vjen koha”, tha Ajvazi.
I pyetur nga kryetari, se cila do ishte kënga me të cilën do të përfaqësonte Kosovën në Eurovision, ai tha se janë këngët “Ajr”dhe “Lshoja zanin”.
Për shkak të koncerteve që mbahen sot dhe nesër, policia i ka udhëzuar qytetarët që udhëtojnë në relacionin Prishtinë – Shkup dhe anasjelltas, ta shmangin nga ora 16, magjistralen Prishtinë – Ferizaj, dhe ta përdorin Autostradën “Arbën Xhaferi.”