Ndërron jetë personi i plagosur te tregu në Mitrovicë
Lajme
Lexohet për: 3 min.
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Një person është plagosur mëngjesin e sotëm te tregu i gjelbër në Mitrovicë, ndërsa pas trajtimit në spitalin e këtij qyteti, është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.

Megjithatë viktima edhe pas përpjekjeve maksimale nga stafi i Klinikës Emergjente nuk ka arritur t’i mbijetoj plagës.

Kjo është konfirmuar nga zëdhënësi i QKUK-së Shpend Fazliu.

“Zyra për informim e QKUK-së, ju konfirmon se përkundër përpjekjeve maksimale nga stafi i Klinikës Emergjente, një person i plagosur në Mitrovicë, nuk ka arritur të mbijetojë, për shkak të plagëve që ka pasur dhe gjendjes së rënduar shëndetësore”, shtoi Fazliu.

Ndërsa lajmin për gjuajtjen me armë zjarri dhe plagosjen e një personi e ka konfirmuar për KosovaPress zëdhënësi i policisë në Mitrovicë, Avni Zahiti.

Ai nuk ka pranuar të flasë para kamerës me arsyetimin se nuk ka informacione të mjaftueshme, por ka bërë të ditur përmes telefonit rrethanat e përgjithshme të këtij incidenti pa dhënë detaje.

"Një person është lënduar nga arma e zjarrit të premten rreth orës 09:42 në Mitrovicë të Jugut. Rasti ka ndodhur në rrugën ‘Fatime Hetemi’ dhe se i plagosuri, i cili është i moshës madhore, është dërguar për tretman mjekësor", ka thënë Zahiti.

Dëshmitarët e rastit kanë rrëfyer për KosovaPress se pak kanë parë nga ngjarja, përveç që kanë dëgjuar të shtëna zjarri, sepse siç thanë ata, gjithçka ka ndodhur shumë shpejtë.

Reshit Musaj, i cili punon në furrën krejt afër vendit ku ka ndodhur ngjarja, tha për KosovaPress se ka dëgjuar disa të shtëna nga arma e zjarrit dhe se gjithçka është zhvilluar shumë shpejtë, ndërsa gëzhojat e plumbave kanë depërtuar edhe në lokalin ku punon.

Në anën tjetër, Gëzim Berisha, u.d. të drejtorit mjekësor në spitalin 'Sami Haxhibeqiri' në Mitrovicë, u shpreh se pacienti është pranuar i lënduar me armë zjarri dhe me dy plagë në gjoks.

Sipas tij, gjendja e pacientit është serioze dhe pas trajtimit dhe pas marrjes së masave të nevojshme, ai është dërguar në QKUK.

KosovaPress-i mëson nga burimet e veta se viktima është F.Z. nga fshati Vinarc i Mitrovicës dhe dorasi ndodhet në arrati, ndërsa motivi i kësaj ngjarje ende nuk dihet.

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024