Nderime të mëdha të rënëve për liri, kujtohet thyerja e kufirit shqiptaro-shqiptar
Drejtat Autoriale
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Nderime të mëdha të rënëve për liri, kujtohet thyerja e kufirit shqiptaro-shqiptar
Haradinaj-Ahmeti1234
09/04/2026 - 15:08
Linku u kopjua

Në përvjetorin e 27- të Betejës së Koshares homazhe në Kompleksin memorial bënë edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Ish-komandanti i UÇK-së në Zonën e Dukagjinit, Ramush Haradinaj, tha se në Koshare nderohen trimat që ranë për liri dhe thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar.

“Pra, jemi në Koshare e në memorialin ku pushojnë 100 e sa dëshmorë, heronj të atdheut, trima ku nderohet, pra dita e thyerjes së kufirit shqiptaro-shqiptar, ku i kujtojmë me respekt të rënët për liri: komandantët, heronjtë Agim Ramadanin, Sali Çekun, Xhemajl Fetahun e shumë të tjerë, por po ashtu i respektojmë edhe të gjallët, bashkëluftëtarët e gjallë, komandantin Rrustem Berisha, komandantët Anton Çuni, Fadil Hadërgjonaj e të gjithë.

Këtu pushojnë luftëtarë të zotë nga të gjitha trevat e atdheut tonë, kombit tonë, por ka edhe prej popujve të tjerë që i janë bashkuar luftës sonë të drejtë. Nuk harrojmë asnjëherë të shprehim respektin për të gjithë që kanë dhënë për lirinë, pra familjet e dëshmorëve, martirët, familjet e martirëve, invalidët, bashkëluftëtarët e të gjallë, por po ashtu u shprehim falënderim edhe NATO-s dhe Amerikës, që u vunë në mbrojtje të popullit të Kosovës në atë kohë edhe ja sot gëzojmë lirinë”, tha ai.

Kryetari i BDI-së, ish-komandant i UÇK-së, Ali Ahmeti, tha se 9 prilli është ditë e shënuar në historinë kombëtare.

Sipas tij, luftëtarët e Koshares dëshmuan  se e duan atdheun dhe duan që Ushtria Clirimtare e Kosovës të jetë fitimtare.

“Sot është një ditë e shënuar në historinë e kombit tonë. Përveç se është e larë me gjak, është ditë e shënuar, sepse thyhet kufiri shqiptaro-shqiptar. Është ditë e shënuar, sepse të gjithë këta luftëtarë të rënë këtu dhe të gjallë kanë qenë një fuqi që i ka dhënë forcë, moral, tërë brigadave që vepronin në Rrafshin e Dukagjinit. Kanë qenë njerëz profesionistë, oficerë profesionistë, atdhetarë të mëdhenj, që me përkushtim përveç që kanë mbajtur vijën e frontit kanë pasur edhe përgjegjësinë morale dhe kombëtare për të furnizuar tërë brigadën dhe tërë formacionet ushtarake që vepronin në Rrafshin e Dukagjinit, në Drenicë e më gjerë në Kosovë deri në Shalë e në Ferizaj. Kështu që këta kanë dëshmuar se vërtet atdheun e duan, duan dhe deshën që ushtria jonë lavdimadhe të jetë fitimtare, ashtu siç fitoi bashkë edhe me aleatët, NATO-n. U vunë në shërbim me të gjitha potencialet që kishte për informacione të NATO-s që sa më parë të shporret e dëbohet nga tokat tona ushtria pushtuese serbe”, tha ai. /B.Ibishi/


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026