Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Radmila Shekerinska, ka ritheksuar mbështetjen e fuqishme të Aleancës për sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë dhe Hercegovinës gjatë një takimi me Presidencën e këtij vendi dhe Këshillin e Atlantikut të Veriut, të mërkurën në Bruksel
Ajo deklaroi se paqja dhe stabiliteti në Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe në gjithë Ballkanin Perëndimor, kanë rëndësi të veçantë për sigurinë euro-atlantike, thuhet në një njoftim të NATO-s, trasmeton KosovaPress.
Sipas saj, NATO është e gatshme të forcojë bashkëpunimin me shtetin ballkanin përmes Programit të Partneritetit të Përshtatur Individualisht dhe mbështetjes për ndërtimin e kapaciteteve mbrojtëse.
Ajo theksoi se reformat gjithëpërfshirëse të udhëhequra nga autoritetet e Bosnjë dhe Hercegovinës janë thelbësore për forcimin e institucioneve dhe sigurisë.Zyrtarja e NATO-s shtoi se Aleanca mbetet e përkushtuar në mbështetjen e rrugës evropiane dhe euro-atlantike të Bosnjë dhe Hercegovinës.