Nasuf Bejta nuk ishte ndonjë emër me shumë peshë politike në Kosovë, deri në prill të vitit 2021.
Por, në këtë muaj, aktivisti dhe profesori nga Vushtrria, u bë i njohur për gjithë vendin, e përtej.
Bejta e dinte se këtë pozitë e post nuk e fiton dot, por e pranoi se e bëri këtë për faktin se ishte institucionalist dhe për hatër të Vjosa Osmanit, në mënyrë që ajo të bëhet presidente.
“Humbja” e vitit 2021 nuk e ka zhgënjyer. Ai thotë për KosovaPress se prapë do t’i hynte një aventure të tillë për të rikandiduar, jo për të fituar por për të çuar përpara procesin institucional, sigurisht, krejt kjo duke rezultuar me Vjosa Osmanin si të rizgjedhur presidente.“Po, me apelin që mos të më votojnë mua, vetëm ta votojnë Vjosën dhe të dërgohet procesi përpara, përsëri pse jo? Nuk është turp me humbur prej një kandidati të mirë, e thashë, sepse është kjo fitorja e Kosovës. Nuk është fitorja e Vjosës e Albinit edhe e imja, po është e krejt popullit të Kosovës, e Kosovës vetë. Nuk e kemi luksin na gjithë këto harxhime, në këto rrethana, në këtë varfëri, përsëri na çdo katër-pesë zgjedhje nëpër një vit. Është e tepërt. Mendoj që është e tepërt edhe çka është mjaft, është mjaft”,deklaroi ai.
Bejta thotë se zgjedhja e Osmani si presidente e Kosovës, më 2021, ishte një përmbushje e vullnetit popullor dhe krijim i një “tandemi shumë të mirë” Kurti-Osmani, që sipas tij, pritej nga e gjithë popullata, pas zgjedhjeve të shkurtit të atij viti ku koalicioni i këtyre dyve mori pak mbi 50 për qind të votave.
“Po në përgjithësi unë mendoj që Vjosa ka qenë perfekte. Përkundër, që ndoshta unë nuk kam pasur shumë takime me Vjosën. Një takim krejt pas zgjedhjes së saj si presidente, një takim kur jam bërë deputet, pesëminutësh, po unë mendoj që perfekte ka qenë. Mendimi imi personal. Ndoshta nuk e di si mendojnë të tjerët, por unë mendoj që mirë na ka përfaqësuar, unë mendoj që edhe në barazinë gjinore ka punuar shumë, edhe në mbrojtjen e institucioneve, mbrojtjen e ligjit. Detyrat e presidentit i ka kryer. Në ruajtjen e njohjeve, në kërkimin e njohjeve. Unë e konsideroj që ka bërë një punë shumë të madhe”, deklaroi ai.
“Për mendimin tim, plotësisht e meriton që të kandidohet dhe është shumë keq nëse nuk kandidohet. Përkundër, thashë, të gjithave, unë mendoj se opinioni në Kosovë me shumicë është që Vjosa ta vazhdojë mandatin. Po në fund të fundit, në fund të fundit, unë mendoj që është një tandem i përkryer, prandaj i konvenon edhe Kurtit, edhe Kosovës që Vjosa të jetë edhe një herë kandidate. Nëse këta deputetë nuk e zgjedhin, atëherë kërkohet fajtori se kush po manipulon, kush po e zvarrit, kush po pengon në formimin e institucioneve”, deklaron Bejta.
Por, rizgjedhja e Osmanit për një mandat të dytë, nuk është e sigurt, të paktën deri të martën e 3 marsit. Politika po vlon këto ditë, në përpjekje për të gjetur një kandidat për president. Kryeministri Albin Kurti ka takuar liderët e dy partive më të mëdha opozitare për këtë cështje, por emri i Vjosa Osmanit nuk ka dal asnjëherë si propozim. Bejta thotë se kjo është ë pakuptimtë ndëra kritikon Kurtin që nuk po e shtyn përpara vazhdimin e mantatit të presidentes aktuale.
Me 71 vota për, Kuvendi i Kosovës më 4 prill 2021 kishte zgjedhur Vjosa Osmanin në postin e presidentes së Kosovës me mandat pesëvjeçar.
Osmani fitoi në raundin e tretë të votimit, ku morën pjesë 82 deputetë. Kundërkandidati i saj, Bejta, nuk pati marrë besimin e asnjë deputeti.