Mustafa: Kurti e di se po shënon rënie, andaj bërtet e fyen partitë e tjera
Zgjedhjet 2025
Lexohet për: 2 min.
1 javë më parë
Linku u kopjua
Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK), Besian Mustafa, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje është në panik për shkak se kanë informacione se janë duke humbur vota për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Mustafa në një konferencë për media të mërkurën, tha se Kurti po bërtet, ofendon e shanë partitë të tjera për këtë arsye.
“Fakti që partia në pushtet i ikën paraqitjeve në televizione, debateve në televizione dhe zgjedh që të ketë tubime ku flet vetën lideri i partisë, i cili çirret dhe bërtet duke ofenduar e sharë partitë tjera në Republikën e Kosovës. Kjo tregon që partia në pushtet dhe udhëheqësi i saj janë në panik të thellë dhe kanë marrë informacione të sakta nga terreni, nga bashkëbisedimet me qytetarë që janë në rënie të thellë e në humbje të thellë”, tha ai.
Krahas kësaj, e akuzoi partinë në pushtet se në vend që të ndihmojë kompanitë vendore, ajo po linçon të njëjtat.
Kujtojmë, më 11 janar është hapur zyrtarisht fushata për zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit, ku për legjislativin e ri do të garojnë gjithsej 28 subjekte politike me 1.280 kandidatë të certifikuar nga KQZ-ja.
Numri i votuesve brenda dhe jashtë Kosovës është 2 milionë e 75 mijë e 868. Për votim jashtë vendit janë regjistruar 104.924, prej tyre 20.399 janë regjistruar për votim fizik në përfaqësitë diplomatike, ndërsa të tjerët mund të votojnë me postë në 19 shtete.
Heshtja zgjedhore këtë vit, pas ndryshimeve ligjore, do të jetë më ndryshe se në zgjedhjet e kaluara. Ajo do të zgjasë vetëm gjatë 12 orëve të votimit – do të fillojë një minutë para hapjes së qendrave të votimit më 9 shkurt në orën 07:00 dhe do të zgjasë deri në mbylljen e tyre, në orën 19:00.
Këto janë zgjedhjet e para të rregullta qe nga shpallja e pavarësisë, pasi deri më tani janë mbajtur një sërë zgjedhjesh të parakohshme.