Zhvillim dhe mbrojtje të interesave qytetare: Manaj premton ndryshime të thella për Kosovën
Zgjedhjet 2025
Lexohet për: 6 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua
Përmirësim të legjislacionit dhe mbrojtje të interesave të qytetarëve, krijim të ligjeve që mbështesin zhvillimin dhe stabilitetin e vendit, reforma të thella në administratë publike dhe drejtësi, janë vetëm disa nga synimet e kandidatit për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Shkëmb Manaj.
Manaj synon, për herë të dytë, ulësen në Kuvendin e Kosovës.
Në nivel lokal, ai zotohet për projekte të mëdha, për zhvillimin e turizmit malor në Istog dhe përmirësimin e infrastrukturës, duke përfshirë pastrimin e lumit të Istogut dhe mbrojtjen e ambientit në tërësi.
Në një intervistë për KosovaPress, Manaj flet edhe për qeverisjen e Albin Kurtit të cilën e quan të dështuar në zhvillimin ekonomik të vendit dhe në aspektet e raporteve ndërkombëtare.
Ai thotë se LDK-ja ka hartuar një program të detajuar me ndihmën e ekspertëve dhe se ka angazhuar një ekip të fortë për të udhëhequr vendin nëse shënon fitore pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
“LDK ka arritur që gjatë këtyre viteve të bëjë reforma të brendshme të mëdha. Kemi pasur reforma në disa aspekte, edhe strukturore dhe programore. Kemi hartuar një program i cili është hartuar nga 300 ekspertët më të mirë të Kosovës. Pjesë e hartimit të këtij programi kam qenë edhe unë si udhëheqës i departamentit për drejtësi në kuadër të LDK-së. Në secilën fushë të jetës janë përcaktuar projekte të LDK-së, janë projekte që do të realizohen brenda mandatit qeverisës. Dhe ky program i LDK-së është bërë publik para një viti", thotë Manaj.
"Pra, jemi partia e vetme në vend që kemi program të detajuar dhe të cilin e kemi bërë publik para qytetarëve. Duhet të ekzistojnë tri komponentë kryesore, një lider i cili ka vizion për të udhëhequr vendin, që në rastin tonë është kryetari i LDK-së dhe kryeministri i ardhshëm, Lumir Abdixhiku, duhet një program të strukturuar mirë dhe një ekip, listë që tashmë është publike. Lista e LDK-së është listë që përbëhet nga personalitete të të gjitha fushave, është lista më e mirë që ka pasur ndonjëherë një parti politike në demokracinë tonë pas luftës”, shton Manaj.
Ndërkaq, në nivel lokal, Manaj zotohet për përkrahje në zhvillimin e turizmit, si dhe projekte infrastrukturore në Istog, duke përfshirë pastrimin e lumit dhe mbrojtjen e ambientit.
“Do të jem në funksion të interesave të qytetarëve të Republikës së Kosovës, do t’i mbroj interesat e tyre edhe përmes ligjeve dhe shumë proceseve që ndodhin në parlament dhe qeverinë e ardhshme. Si njëri prej përfaqësueseve të LDK-së, duke marrë parasysh që vijmë prej degës së Istogut, është një degë e cila ka një histori të veçantë, sepse këtu ka lindur presidenti historik, dr.Ibrahim Rugova dhe ka një trashëgimi të madhe politike. Dhe së bashku me koleget nga Istogu, e kemi për obligim fillimisht që të mbrojmë këtë trashëgimi politike dhe që të shtyjmë tutje projektin rugovist për Kosovën. Sepse vetëm ky projekt sa herë ka qenë në funksion, Kosova ka qenë stabile", thotë Manaj.
Manaj thotë se do të kenë parasysh zhvillimin e turizmit malor.
"Një qendër turistike në Mokën, pastaj plot projekte tjera që lidhen edhe me infrastrukturën publike, duke përfshirë edhe trajtimin e ujërave të zeza përmes impiantit”, shprehet Manaj.
Në anën tjetër, Manaj kritikon qeverisjen e tanishme për, siç thotë ai, dështimet në zhvillimin ekonomik dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, veçanërisht për ndikimin negativ në raportet me SHBA-të.
“Kjo qeverisje ka qenë e dobët edhe në aspekt të zhvillimit të brendshëm edhe në aspekte të raporteve ndërkombëtare. Në aspekt të zhvillimit të vendit kanë dështuar në pothuajse secilën sferë të jetës, sepse nuk kanë arritur që të bëjnë progres të zhvillimit ekonomik të vendit. Qytetarët nuk kanë arritur që të kenë një qeverisje të duhur e cila ju ndihmon në mirëqenien e tyre dhe të familjeve dhe shtetit, ndërsa në aspektin ndërkombëtar, kjo qeveri nuk ka qenë korrekte në raportet me ndërkombëtarët. Mendojmë se i ka cenuar raportet me SHBA-të dhe me miqtë tjerë të Kosovës, që është një goditje e madhe për shtetin e Kosovës, sepse cenimi i raporteve me SHBA-të për neve është cenim i interesit të shtetit të Kosovës, marrë parasysh se të gjitha të arriturat e vendit tonë nuk mund të ndodhin pa mbështetjen e SHBA-ve”, nënvizon Manaj.
Ai thotë se me LDK-në në pushtet do të përmirësohej jeta dhe mirëqenia e gjithë qytetarëve të vendit.
“Ka shumë prioritete, por mendoj që fokusi kryesor fillimisht duhet të jetë në pjesën e legjislacionit, duke marrë parasysh se jam jurist me profesion, pastaj mbrojtja e interesave të qytetarëve, nxjerrja e sa më shumë projekteve edhe për Istogun dhe komunat tjera të rajonit të rrafshit të Dukagjinit që do të ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve. Po ashtu, fokus të veçantë e kam edhe pjesën e drejtësisë dhe të administratës publike. Premtimi i kryeministrit tonë në ardhje është që në qeverisjen e LDK-së, koeficienti i pagës do të jetë 150 euro për secilin të punësuar publik, që mendojmë se kjo ngritje e pagave në sektorin publik, por pastaj edhe rritja e pagave në sektorin privat do të ndikojë në mirëqenien e secilës familje në Kosovë. Gjatë kësaj qeverisje kemi parë që administrata publike dhe institucionet e drejtësisë janë goditur nga partia në pushtet. Mendojmë se duhet të ndodhin reforma rrënjësore dhe të gjithë të punësuarit publik të kenë vendin e merituar që ju takon, sepse ata janë njerëz kryesor që i shërbejnë qytetarëve në zhvillimin e vendit”, thotë Manaj.
Fushata për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë ka filluar më 11 janar, ndërkaq, zgjedhjet mbahen më 9 shkurt.