Kosova pritet të mbetet ndër ekonomitë me rritjen më të shpejtë në Evropë gjatë pesë viteve të ardhshme, pavarësisht ngadalësimit të përgjithshëm ekonomik në kontinent, sipas parashikimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të cituara nga Euronews.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka vlerësuar raportin e publikuar nga Euronews, i cili i referohet parashikimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), sipas të cilave Kosova pritet të jetë ndër vendet me rritjen ekonomike më të shpejtë në Evropë gjatë viteve të ardhshme.
Sipas FMN-së, Bashkimi Evropian në tërësi pritet të ketë një rritje mesatare prej 1.4 për qind në vit, ndërsa ekonomia globale rreth 3.2 për qind. Azia në zhvillim pritet të zgjerohet me 4.6 për qind në vit, India me 6.5 për qind dhe Afrika Sub-Sahariane me 4.6 për qind.
Raporti i FMN-së thekson gjithashtu se për të ruajtur rritjen afatgjatë, vendet duhet të investojnë më shumë në infrastrukturë, arsim dhe inovacion, si dhe të forcojnë financat publike, në mënyrë që rritja ekonomike të mbështetet gjithnjë e më shumë në produktivitet dhe jo vetëm në zgjerimin e tregut të punës.
Sipas Euronews, ekonomitë e vogla evropiane pritet të vazhdojnë të tejkalojnë ritmin e rritjes së eurozonës edhe në fund të kësaj dekade, pavarësisht sfidave që përballen ekonomitë e kontinentit. /KosovaPress/
