Murati mohon se ka humbje në Trust, përplaset me deputetin Hoti
Lexohet për: 3 min.
Komisioni-per-Buxhet
1 vit më parë
Linku u kopjua

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka mohuar se ka humbje të mëdha në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës, për shkak të mungesës së bordit.

Në Komisionin parlamentar për buxhet, Murati tha se performanca e Trustit në vitin aktual është vetëm 1 për qind më pak se vitin e kaluar. Ai tha se uljet dhe ngritjet një deri dy për qind në institucione si siç është trusti ndodhin në baza ditore.

“Janë shqetësuese deklaratat publike që janë bërë nga disa deputetë, veçanërisht ju deputet (Avdullah Hoti)që Trusti po humb, po ka humbje ditore për shkak gjoja ministri i financave, auditorja apo guvernatori e kanë lënë pa bord. Kjo nuk qëndron, ju po flisni për luhatje ditore. Është joserioze për gjërat që nuk keni njohurin e mjaftueshëm të bëni konstatime të tilla dhe të shkaktoni shqetësim apo panik tek qytetarët. Aktualisht derisa po flasim performanca e Fondit Pensional për vitit aktual është 1 për qind më pak se përfundimi i vitit të kaluar. Në fondet e tilla luhatjet prej 1-2 për qind ndodhin në baza ditore. Prandaj është jo serioze të bëhet një propagandë e tillë që sulmon një institucion siç është Fondi Pensional ku ruhen kursimet e gjithë qytetarëve”, tha ministri Murati.

Por atij i reagoi deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, i cili kërkoi dorëheqje nga ministri Murati, siç tha për lënien e 2.5 miliardë eurove pa menaxhim.

Në një moment, Hoti theksoi se ndaj ministrit Murati  nuk ka respekt fare për të, derisa iu drejtua atij me fjalët mos zgërdhijë.

lidhje me humbjet e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, foli edhe drejtori menaxhues, Ardian Zalli, por që nuk dha ndonjë shifër konkrete të mjeteve të humbura.

Ai tha rënie të tregjeve ndërkombëtare ka pasur edhe vitin e kaluar dhe se luhatjet janë normale.

Mirëpo nënvizoi nevojën e emërimit të bordit të Trustit, për siç tha marrjen e përgjegjësisë për veprimet e mëtutjeshme.

Teksa foli për mungesën e bordit të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, ministri Murati u shpreh i shqetësuar për konkursin e publikuar më 2 dhjetor të vitit 2022, ani pse nuk e tha se i njëjti është jashtëligjshëm.

Murati tha se megjithëse ka qenë anëtarë i komisionit për hartimin e konkursit dhe përzgjedhjen e kandidatëve, ai nuk e ka ditur kur është hapur konkursi por vetëm kur është mbyllur.

Ndër arsyet pse është i shqetësuar ai përmendi numrin e kandidatëve që kanë aplikuar, ku tha prej 48 aplikacioneve, 27 janë të huaj që kanë aplikuar për një pozitë, kurse 21 vendor, ku gjashtë prej tyre janë ish anëtarë të bordit të kaluar.

Por kryesuesi i komisionit për përzgjedhjen e bordit të Trustit, guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti tha se i tërë procesi ka shkuar në rregull dhe nëse do të kishte pasur dilema për konkursin ai e kishte stopuar të njëjtin.

Edhe deputetë të tjerë të komisionit për buxhet ngritën shqetësime për mungesën e bordit në Fondin e Kursimeve Pensionale, ku kërkuan që ky ngërç të zgjidhet sa më parë./KosovaPress/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025