Parashikimet për vitin 2060 parasheh se mosha mesatare e popullsisë së Kosovës të jetë 49 vjeç ndërkaq sipas profileve komunale, Prishtina mbetet komuna me popullsinë më urbane, ndërsa Dragashi komuna me popullsinë më rurale, raporton KosovaPress.
Këto ishin të dhënat kryesore që u prezantuan nga Agjencia e Statistikave të Kosovës e cila të enjten ka publikuar për herë të parë raportin mbi projeksionet e popullsisë deri në vitin 2060 dhe profilet e komunave.
“Të gjithë e dimë që pa statistika, pa të dhëna, asnjë vendimmarrje nuk është e plotë dhe natyrisht që pa të dhëna, ne shumë lehtë mund të marrim vendime të cilat nuk do të kenë vlerë në dobi të qytetarëve, prandaj të dhënat e sakta, të detajuara janë esenciale për të marrë vendimet e duhura, jo vetëm ne si qeveri, ministri, por edhe, dhe sidomos, për komunat dhe agjencitë të cilat japin shërbime të drejtpërdrejta për qytetarët.… Prandaj, puna që e ka bërë Agjencia e Statistikave të Kosovës, do ta lehtësojë jashtëzakonisht punën e kryetarëve të komunave dhe vendimmarrjen tonë në nivelin lokal, që t'ju japim shërbime dhe të planifikohen shërbime më të mira për qytetarët e Kosovës”, tha ai
Në realizimin e këtyre dy raporteve kanë ndihmuar edhe dy ekspertë të huaj. Njëri ndër ta është eksperti Eduardo Jongstra i cili tha se, analizat janë hartuar në mënyrë që të jenë të kuptueshme për vendimmarrësit lokalë, ndërsa ndryshimet në urbanizim dhe migrim kanë ndikuar në dallimet e evidentuara mes dy regjistrimeve.Ndërkohë, eksperti Tomas Kucera theksoi se ndryshimet në fertilitet, mortalitet, migracion dhe në strukturën e popullsisë grumbullohen me kalimin e kohës, prandaj nevojitet një vizion realist për zhvillimin e ardhshëm të popullsisë.
Ai sqaroi se parashikimi kombëtar ishte i mundur falë të dhënave për lindjet, vdekjet, regjistrimin e popullsisë dhe migracionin ndërkombëtar, ndërsa në nivel komunal mungesa e statistikave të besueshme për migracionin e brendshëm dhe ndërkombëtar nuk lejoi hartimin e parashikimeve të plota.
Gjatë prezantimit të raportit për projeksionet e popullsisë, Kastrati deklaroi se dokumenti është hartuar mbi bazën e regjistrimit të popullsisë të vitit 2024, statistikave të lindjeve, vdekjeve dhe migracionit, duke ofruar tre skenarë të zhvillimit demografik.
Ndërsa eksperti nga ASK-ja, Idriz Shala, prezantoi Profilet e Komunave, duke theksuar se ato ofrojnë një pasqyrë të detajuar statistikore për secilën komunë përmes 43 treguesve kryesorë, analizave sektoriale dhe hartave tematike, të cilat ndihmojnë në identifikimin e dallimeve zhvillimore dhe nevojave për investime.
Ai bëri të ditur se Prishtina mbetet komuna më e madhe në vend me rreth 227 mijë banorë, apo 13-14 për qind të popullsisë së Kosovës, ndërsa pas saj renditen Prizreni, Ferizaj, Gjilani, Peja dhe Gjakova. Në anën tjetër, komunat më të vogla janë Kllokoti, Ranillugu dhe Parteshi.
Shala theksoi se të dhënat tregojnë edhe përmirësime në nivelin e arsimit dhe në kushtet e banimit, duke përfshirë qasjen në infrastrukturën bazë, elemente që sipas tij duhet të shërbejnë si bazë për hartimin e politikave publike dhe planifikimin e zhvillimit në nivel lokal.
Ndryshe, në bazë të rezultateve nga regjistrimi i popullsisë, Repubklika e Kosovës ka 1 milionë e 602 mijë e 515 banorë. Në vitin 2011, kur është realizuar regjistrimi paraprak i popullsisë, mosha mesatare ka qenë rreth 30 vjet, ndërsa në regjistrimin e 2024-s ishte rreth 35 vjet.