Paralajmërimi i përfaqësuesve serb, se do të tërhiqen nga institucionet, shenjë që qeveria të vihet në veprim, që të mos krijohet vakum institucional, as të mos lejohet "pushtet paralel" në ato komuna.
Qëllimi i lidershipit të margjinalizuar serb në veri, është ri-instalimi i "strukturave paralele", çka Qeveria e Kosovës nuk duhet ta lejoj në asnjë mënyrë! Është bërë shumë punë që ato struktura të mos jenë faktor dhe të mos lejohen të destabilizojnë një shoqëri të tërë.
Prandaj, Qeveria e Kosovës, duhet ta ketë me ngut Planin e Veprimit, që të emëroj përkohësisht deri në ndryshimin e rrethanave, administrator të përkohshëm për Komuna; të dërgoj forca policore shtesë, me automatizëm të suspendoj ata policë që nuk i kryejnë detyrat e tyre në mision të rendit, ligjshmërisë e kushtetutshmërisë; po ashtu, të dërgoj administrator, nëse rrezikohen shërbimet e nevojshme publike për qytetarët atje.
Përmes këtij plani, të përgatiten kuadro që do i mbulojnë të gjitha pozitat vakante që mund të krijoj ky veprim destruktiv, anti kushtetues dhe anti shtetëror të paralajmëruara nga strukturat politike serbe lokale dhe të mbështetura e sponsorizuara nga Beogradi.
Kjo situatë, kërkon të mblidhet Këshilli i Sigurisë Nacionale, që të intensifikohen dhe bashkërendohen veprimet shtetërore, për të mos e kthyer situatën para vitit 2011.
Po ashtu, duhet një koordinim ndërveprues me PUN, vendet e QUINT-it, NATO-n, ndërmjetësit e BE dhe me theks SHBA, që të bëjnë trysninë politike, diplomatike dhe ushtarake ndaj Beogradit që të ndalet me kërcënimet dhe veprimet destruktive ndaj shtetit, shoqërisë, dhe popullit të Kosovës, përmes përfaqësuesve të dhunshëm e të inkriminuar serb, veprime që sidomos po shkojnë në dëm të qytetarëve kosovar të komuniteti serb.
Në fakt, realiteti është ndryshe: Kosova kërcënohet në mënyrë direkte dhe indirekt nga Serbia, edhe ushtarakisht. Prandaj është shqetësues fakti se Qeveria e Kosovës jo vetëm nuk e mori mundin ta mbledhë Këshillin e Sigurisë së Kosovës, por po dërgon sinjale sikur “gjithçka është në rregull”.
Duke parë kërcënimin e fundit nga Serbia, paralajmërimet e lidershipit vendor të margjinalizuar nga Beogradi, urgjent është dashur të mblidhet KSK (që në këtë rast duhet ta udhëheqë Presidenti/Presidentja si takim urgjent).