Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar kampin e Kombëtares së Kosovës për ta përgëzuar ekipin për arritjen në finalen e ‘play-off’-it për Kupën e Botës 2026 dhe për t’i ofruar mbështetje para kësaj sfide historike përballë Turqisë.
Fillimisht, presidenti i FFK-së, Agim Ademi, e falënderoi kryeministrin Kurti, ministrin e Sportit, Blerim Gashiani dhe zëvendësministren Daulina Osmani, për përkrahjen e vazhdueshme ndaj ekipit kombëtar.
Ai vuri në pah statistikat dhe paraqitjet e ekipit gjatë këtij cikli, duke nënvizuar se “10 gola të shënuar në 7 ndeshje gjatë këtij rrugëtimi janë dëshmia më e mirë se kjo finale është më shumë se e merituar”.
Kurti theksoi punën e madhe, përkushtimin dhe unitetin e skuadrës, duke kujtuar se Kombëtarja ka zhvilluar një seri mbresëlënëse rezultatesh, përfshirë fitore ndaj Suedisë, Sllovenisë, Islandës dhe Sllovakisë gjatë vitit të fundit.“Mos e shikoni kundërshtarin më shumë se sa veten. Ju e keni kundërshtarin e fortë të martën mbrëma, por ata e kanë kundërshtarin më të fortë se ju, e ai jeni pikërisht ju djemtë e Kosovës”.
Kryeministri nënvizoi gjithashtu progresin e madh të shtetit të Kosovës në dekadën e fundit, duke e lidhur atë me zhvillimin e sportit dhe sukseset ndërkombëtare. Ai shtoi se kualifikimi në Kupën e Botës përbën një hap të jashtëzakonshëm për vendin, duke e vendosur Kosovën në qendër të vëmendjes globale. Sipas tij, miliona shikues në mbarë botën ndjekin këtë ngjarje dhe përmes Kombëtares ekziston mundësia që historia dhe talenti i Kosovës të prezantohen në arenën më të madhe.
Ai përmbylli fjalimin me një mesazh motivues për ekipin, duke i inkurajuar që të besojnë në vetvete dhe të japin maksimumin: “Ky është momenti për ta shkruar historinë tuaj dhe të Kosovës. Dilni në fushë dhe tregoni kush jeni. Luani lirshëm, luftoni për njëri-tjetrin dhe jepni maksimumin për çdo minutë të lojës. Na priftë e mbara!”.
Ndërkaq, përzgjedhësi i Kombëtares, Franco Foda, falënderoi për mbështetjen institucionale, duke theksuar rëndësinë e unitetit dhe motivimit në prag të ndeshjes vendimtare. Ai u shpreh se kjo përkrahje i bën të gjithë krenarë dhe shtoi: “Të gjithë së bashku kemi një ëndërr të madhe, duam të kualifikohemi në Kupën e Botës. Tani kemi edhe një ndeshje përpara dhe mund të jeni të sigurt se kjo kombëtare të martën do të japë gjithçka për ta fituar këtë ndeshje”.