A është Ministria e Sportit në dijeni për dyshimet për kurdisje në futboll? Flet Fidan Shatri
Sport
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
A është Ministria e Sportit në dijeni për dyshimet për kurdisje në futboll? Flet Fidan Shatri
02/06/2026 - 10:25
Linku u kopjua
Spekulimet dhe dyshimet për kurdisje të ndeshjeve në futbollin kosovar duhet të trajtohen nga mekanizmat kompetentë dhe institucionet përgjegjëse, vlerëson ushtruesi i detyrës së drejtorit të Agjencisë për Sport, Fidan Shatri.
Në emisionin SportCast, ai tha se në kuadër të Ministrisë funksionon Këshilli për Parandalimin e Dukurive Negative në Sport, i cili merret me shqyrtimin e ankesave dhe rasteve që lidhen me integritetin e garave sportive.
“Në kuadër të institucionit, ministrisë është Këshilli për Parandalimin e Dukurive Negative në Sport. Nëse ka ankesa këshill i shqyrton pasi që institucionet gjyqësore, prokuroria e shtetit, e përbëjnë atë këshill bashkë me ministrinë. E ndoshta rastet të cilat po fliten, nuk e di, ndoshta mund të jenë vetëm fjalë, por nganjëherë edhe prej fjalëve mund të ketë diçka. Po në raste të tilla unë mendoj që fillimisht trajtohen në komisionet përkatëse të federatës, sidomos në këtë rast federatës së futbollit, dhe po besoj që ata i kanë edhe në përgjegjësitë e veta që t'i trajtojnë ose të jenë afër ndeshjeve nëse ka të tilla”, theksoi Shatri.
Ndryshe, javët e fundit të Superligës së Kosovës në futboll janë shoqëruar me reagime dhe akuza nga akterë të ndryshëm të futbollit kosovar, të cilët kanë ngritur dyshime për marrëveshje të mundshme mes klubeve dhe manipulim të rezultateve përmes kalkulimeve të ndryshme që lidhen me renditjen përfundimtare në tabelë.