Montella: Kosova është një skuadër e kompletuar
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Montella: Kosova është një skuadër e kompletuar
Vincenzo Montella
30/03/2026 - 19:00
Linku u kopjua

Trajneri i Kombëtares së Turqisë, Vincenzo Montella, në konferencën e mbajtur për media në kuadër të përballjes Kosovë – Turqi, ka theksuar se skuadra e tij është e përgatitur për një ndeshje të vështirë, duke treguar respekt maksimal për kundërshtarin.

Montella u shpreh se nuk është i prirur të bëjë parashikime për rezultatin, por nënvizoi se stafi teknik ka analizuar në detaje pikat e forta të Kosovës dhe ka punuar për t’i neutralizuar ato, pa ndryshuar identitetin e lojës së Turqisë.

“Në fakt, nuk është shumë e përshtatshme t’i themi këto që tani, por mund të them këtë ne i njohim pikat e forta të kundërshtarit dhe e dimë që duhet t’i zbusim ato. Sipas kësaj kemi përgatitur edhe skemat tona të lojës dhe i kemi përshtatur në mënyrë që të nxjerrim në pah edhe cilësitë tona. Prandaj, nesër do të jetë një ndeshje ndoshta ndryshe për të gjithë ne, por siç thashë, duke bërë gjithçka që kemi në dorë, duam të arrijmë objektivin tonë” - deklaroi ai.

Trajneri italian shtoi se Kosova është një skuadër e kompletuar dhe fleksibile në lojë, e aftë të ndryshojë qasje gjatë ndeshjes, duke kaluar nga mbrojtja e thellë në presing të lartë.

“Të fillojmë nga pyetja e fundit. Kosova është një skuadër e kompletuar. Ndonjëherë mbrohen me pesë lojtarë në 20–30 metrat e fundit, plus tre mesfushorë dhe dy sulmues. Ndonjëherë bëjnë presing shumë të lartë” - theksoi Montella.

Atmosfera brenda ekipit turk u përshkrua si shumë pozitive, me lojtarët që janë të motivuar dhe të përqendruar maksimalisht për këtë ndeshje vendimtare në rrugën drejt Kupës së Botës 2026.

Përballja mes Kosovës dhe Turqisë pritet të jetë një duel i fortë dhe taktik, me të dyja skuadrat që synojnë të arrijnë objektivin e tyre në këtë sfidë të rëndësishme.

KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026