Qeveria e Kosovës në mbledhjen e radhës ka miratuar Ligjin për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Miratimi i projektligjit për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030” shënon një hap të rëndësishëm për Kosovën në drejtim të zhvillimit sportiv dhe afirmimit ndërkombëtar. Institucionet e vendit e kanë cilësuar këtë nismë si një projekt me rëndësi të veçantë publike dhe kombëtare, që pritet të ndikojë në ekonomi, infrastrukturë dhe në imazhin e shtetit në arenën ndërkombëtare.
“Ky projektligj i bazuar në marrëveshjen e arritur për organizimin e Lojërave Mesdhetare në Republikën e Kosovës “Prishtina” 2030 është projekt me interes të lartë publik dhe kombëtar. Ai garanton që organizimi i kësaj ngjarje madhore të bëhet me përgjegjësi të plotë institucionale me standarde të larta transparence integriteti dhe menaxhimi efikas të fondeve publike. Përmes këtij investimi strategjik ne jo vetëm që forcojmë infrastrukturën sportive dhe zhvillimin ekonomik por e vendosim Kosovën në hartën ndërkombëtare si vend që organizon ngjarje të mëdha me dinjitet dhe profesionalizëm. Ky është një investim në rinin tonë në sportin tonë dhe në imazhin ndërkombëtar të shtetit. Kjo është një dëshmi e besimit në potencialin tonë dhe vizionit për një Kosovë që konkurron dhe përfaqësohet denjësisht në skenën ndërkombëtare”, tha Kurti.
Nga ana tjetër, ministri i Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, ka dhënë detaje mbi aspektin financiar dhe organizativ të projektit, duke sqaruar burimet dhe strukturën e financimit:Projektligji i miratuar përcakton qartë rolet dhe përgjegjësitë e institucioneve shtetërore, përfshirë Komitetin Olimpik të Kosovës dhe komunat përkatëse, duke krijuar një kornizë të plotë ligjore për organizimin e kësaj ngjarjeje madhore. Pas votimit në Kuvend, hapet rruga për nisjen e përgatitjeve konkrete për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”, të cilat synojnë ta vendosin Kosovën në mesin e organizatorëve të rëndësishëm të ngjarjeve sportive ndërkombëtare.