Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), pikërisht Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka shqiptuar 18 gjoba ndaj KEDS-it, në vlerë të përgjithshme prej 90 mijë eurosh, për shkak se për 18 njehsorë të verifikuar është konstatuar se u kishte skaduar afati i vlefshmërisë.
“MINTI gjatë muajit prill 2026, ka vazhduar me verifikimin e ankesat e konsumatorëve në lidhje me parregullsitë në njehsorët elektrikë. Komisioni ad hoc, i themeluar posaçërisht për këtë problematikë, ka pranuar 574 ankesa të mbështetura me dëshmi për devijime në orë dhe datë.
Ankesat e konsumatorëve, të mbështetura me dëshmi për devijime kohore, janë duke u përcjellë në KESCO, nga e cila kërkohet kompensim i menjëhershëm për konsumatorët e dëmtuar.
Inkurajojmë qytetarët të vazhdojnë të adresojnë ankesat e tyre, duke bashkëngjitur dëshmi, adresë dhe kontakt, përmes platformës së komunikimit në Viber: +383 46 311 000 dhe në adresën elektronike: [email protected]”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit.