Futbollisti nga Vushtrria, Fatjon Bunjaku, ka humbur jetën në një aksident trafiku që ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës, pak pas mesnate, në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë.
Lajmi për vdekjen e tij u bë i ditur përmes një njoftimi në rrjetet sociale nga fshati Samadrexhë i komunës së Vushtrrisë. Në njoftim thuhet se Bunjaku ka ndërruar jetë tragjikisht si pasojë e aksidentit, ndërsa familjarët kanë bërë të ditur se për kohën dhe vendin e varrimit do të njoftojnë më vonë.
“Fatkeqësisht që shkoi i ri. Ai ka qenë edhe futbollist i kombëtares dhe sigurisht që u ndiem shumë keq. Jo vetëm që ka qenë i kombëtares, por një futbollist i tillë, një djalë i ri që të shkojë tragjikisht është një humbje e madhe për familjen, për ne si komunitet i futbollit dhe për të gjithë popullin. Ngushëllime familjes dhe të gjithë komunitetit të futbollit për të. Na vjen shumë keq”, tha Ademi.